Zbulohet strategjia/ 6 shitje, Milani synon të ketë një minithesar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2020 | 18:18

Zbulohet strategjia/ 6 shitje, Milani synon të ketë një minithesar

Buxheti i Milanit për merkaton e kësaj vere do të jetë në vlerën e 75 milionë eurove. Fondi “Elliott”, në cilësinë e pronarit, ka vendosur që kjo shumë do të jetë në dispozicion të drejtuesve për të afruar lojtarët e nevojshëm për Stefano Piolin. Dihet që “Djalli” kërkon një mbrojtës të djathtë, një qendre dhe të paktën dy mesfushorë dhe 75 milionë euro mund të mos mjaftojnë për të siguruar profilin në nivelin e duhur.

Milan

NË TREG – Pas transferimit të Rikardo Rodrigezit te Torino, Diego Laksalt, Davide Kalabria, Rade Kruniç, Leo Duarte, Mateo Muzakio dhe Lukas Paketa janë lojtarët me të cilët klubi mendon të rrisë buxhetin e merkatos. Nga gjashtëshja në fjalë pritet të përfitohen rreth 50 milionë euro, çka do ta çonte shumën në dispozicion të merkatos në mbi 120 milionë euro. Braziliani është ai që duhet të sjellë më shumë përfitim, por Milani duhet ta shesë për jo më pak se 25 milionë euro që të mos shënojë humbje në bilanc. Ai ka zhgënjyer në sezonin e fundit, e vështirë që trajneri t’i japë të tjera shanse.

Edhe Davide Kalabria i ka valixhet gati, pasi vijon të mbetet një premtim i pambajtur për sa u përket paraqitjeve. Produkti i akademisë kuqezi do të sjellë në arkat 12-15 milionë euro, të cilat do të jenë fitim i pastër. Edhe kolegu Laksalt që luan në korsinë e majtë është drejt shitjes. Uruguaiani ka admirues në Rusi dhe Spanjë, e kuqezinjtë do t’ia dorëzojnë ofruesit më të mirë për jo më pak se 10 milionë euro. Mes Muzakios dhe Leo Duartes, njëri do të shitet patjetër dhe më i mundshmi, për çështje moshe, duket argjentinasi.

Në rastin e tij shpresohet në një arkëtim te 7-8 milionë eurot, teksa edhe vlera e kartonit të brazilianit vërtitet në këto shifra. Diskutim i ngjashëm për Kruniç, që gjithsesi pëlqehet nga trajneri Pioli. Për boshnjakun nevojiten 8 milionë euro, përndryshe Milani do të ishte i lumtur duke e mbajtur 26-vjeçarin që në sezonin e fundit është persekutuar nga dëmtimet e lehta, por të shpeshta. I fundit, por jo më pak i rëndësishëm, Lukas Paketa.

Braziliani u ble 18 muaj më parë për 34 milionë euro e Milani duhet ta shesë për të paktën 25 milionë euro për të mos shënuar humbje. Sezoni i fundit nuk e bën brazilianin një dëshirë merkatoje për shumë klube, megjithatë drejtuesit nuk do ta lejojnë zhvlerësimin e tij.

LOJTARI VLERA

MATEO MUZAKIO 7-8 MLN €

LEO DUARTE 7 MLN €

DIEGO LAKSALT 10 MLN €

DAVIDE KALABRIA 12-15 MLN €

RADE KRUNIÇ 8 MLN €

LUKAS PAKETA 25 MLN €

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"