Zbulohet sekreti i Murinjos, ja pse portugezi i ka fobi makinat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2018 | 20:40

Zbulohet sekreti i Murinjos, ja pse portugezi i ka fobi makinat

Zhoze Murinjo pësoi një “aksident” ndaj Sevijes mesjavën e shkuar, por ai nuk mund të krahasohet me përvojën e aksidenteve automobilistike që ai ka përjetuar në jetën reale. “Mirror” shkruan se “Speciali” është bërë hero vite më parë, duke i shpëtuar jetën një shoku të skuadrës pas një aksidenti që ai pësoi në makinën e tij. Shumë vite përpara se trajneri i Junajtid të bëhej një nga menaxherët më të suksesshëm në historinë e futbollit dhe kur ditët e karrierës së tij si futbollist po perëndonin, ai e pa veten duke luajtur për ekipin modest të Komerçio e Industria në Setubal në 1985.

Klubi ishte pranë shtëpisë së familjes së tij dhe pas stërvitjes do të ndodhte një incident që do t’i shkaktonte Zhozesë fobinë ndaj makinave, e cila ekziston edhe sot e kësaj dite. Sapo kishte përfunduar stërvitjen dhe po shijonte drekën në “Praca de Touros”, sheshin e qendrës së qytetit. Shoku i tij skuadrës së Mout, De, u çua për të shkuar në shtëpi.

murinjo

Ai iu drejtua Fiatit të tij 10-vjeçar dhe në momentin që ndezi motorinon, motori shpërtheu në flakë. Angolezi e kishte të pamundur të dilte nga makina, sepse dyert u bllokuan prej nxehtësisë. Makina ishte parkuar pranë një muri në krahun e pasagjerit dhe lojtari mbeti i bllokuar si në një kurth. De ulërinte për ndihmë, ndërsa Mou, pa menduar për sigurinë e tij, iu afrua makinës dhe theu xhamin e dritares, duke e tërhequr shokun e skuadrës mes flakëve që i kërcënonin jetën. Kur brigada e zjarrfikëses mbërriti në vendngjarje, gjithçka kishte mbetur nga makina ishte vetëm pluhuri dhe hiri. Prej atij momenti, shokët e skuadrës e quajtën një hero Murinjon.

“Zhoze thotë se është e vërtetë”, tregon zëdhënë- si i tij Eladio Parades. “Makina ishte në flakë dhe Mou e tërhoqi jashtë. Nuk ishte çështje krenarie, por ai thjesht ishte i lumtur që i shpëtoi jetën shokut të skuadrës”. Por kjo eksperiencë ishte vetëm preludi e një tjetër aksidenti të rrezikshëm që do të ndodhte më vonë. Kësaj here, ai ishte vetë ballë për ballë me vdekjen gjatë një kthimi në Portugali 10 vite më vonë, kur ai pjesë e stafit teknik të Barcelonës nën drejtimin e të ndjerit Sër Bobi Robson. Vetëm disa km përpara se të mbërrinte në shtëpinë e tij në Setubal, një mungesë përqendrimi nga lodhja shkaktoi një aksident të rëndë dhe e la Murinjon me shenja në fytyrë, ende të dukshme edhe sot e kësaj dite.

Një gazetar spanjoll përdori një metaforë gjatë kohës që portugezi drejtonte Realin se “Murinjo është ai lloj personi që të lë në vend pas një aksidenti automobilistik”. Duke mos njohur ngjarjen e vërtetë të jetës së tij, gazetari e pagoi shtrenjtë sepse Murinjo e paditi. Prej atëherë, ai ka pranuar se nuk i pëlqen ta drejtojë vetë makinën. Prandaj, e parë nga një perspektivë, humbja ndaj Sevijes nuk ishte një aksident fatal për portugezin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"