Zbulohet lista e largimeve te Vllaznia, nga Orelesi te Sukaj, ja titullarët që nuk qëndrojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2018 | 18:32

Zbulohet lista e largimeve te Vllaznia, nga Orelesi te Sukaj, ja titullarët që nuk qëndrojnë

Tani te Vllaznia gjithçka është e amullt. Në klub ka shumë pikëpyetje. Nuk dihet ende si do të drejtohet dhe mbi të gjitha kush do të drejtojë. A do të ndryshojë Këshilli Mbikëqyrës i klubit? Kush do të jetë administratori i ri, drejtori teknik dhe trajneri i ri?! Por, një pikëpyetje e madhe është se cilët do të jenë lojtarët që do të qëndrojnë dhe ata që do të largohen. Largimi i parë nga kjo skuadër tashmë është zyrtarizuar. Arlind Kalaja nuk do të jetë më pjesë e skuadrës shkodrane, duke kaluar te Kukësi.

Vllaznia

Por, ai nuk është i vetmi që do të largohet nga ekipi kuqeblu. Lista e futbollistëve që do të largohen nga ekipi tani është e gjatë. Lojtarët që kanë pasur një kontratë 1-vjeçare apo 6-mujore me të drejtë rinovimi, mësohet se do të largohen nga kjo skuadër. Ndër të parët që janë larguar nga ekipi është mesfushori Nuredin Orelesi. Po listës së futbollistëve të larguar i shtohen edhe emrat e Renato Malotës, Ergis Mesinit e po ashtu edhe Sedat Berishës, kontratat me të cilët nuk do të rinovohen.

Po ashtu, një tjetër lojtar që do të largohet nga ekipi është edhe sulmuesi Andi Ribaj. Por pritet që të largohen edhe disa titullarë shkodranë, Xhevahir Sukaj, Gilman Lika dhe Erjon Vucaj. Por, duket se këto nuk do të jenë largimet e vetme. Në fokus të ekipeve të tjera të Superiores janë edhe disa prej lojtarëve të tjerë të ekipit, të cilët kanë ende kontratë me klubin, por gjithsesi në këto kushte mund të shikojnë mundësinë për t’u larguar.

Emrat e Olsi Gocajt, Ardit Krymit, Erald Çinarit e Denis Pjeshkës janë ndër më të lakuarit në merkato që kërkohen nga ekipet e tjera. Gjithsesi, një tjetër emër që ka dalë në merkato është edhe ai i Erdenis Gurishtës që mësohet se kërkohet nga skuadra e Laçit. Lista e lojtarëve që pritet të largohen është e gjatë dhe nëse zyrtarizohen të gjitha ata që janë përmendur më sipër, numri i tyre shkon në 14.

Capture

KUSH QËNDRON – Me shumë gjasa emrat që pritet që të qëndrojnë këtë sezon te Vllaznia nga skuadra që mbylli sezonin e shkuar, do të jenë ata të lojtarëve shkodranë ku shumica prej tyre janë të rinj. Alsid Tafili, Florind Bardulla, Antoni Marku, Alen Sherri dhe Erind Selimaj janë disa prej lojtarëve që kanë dhënë shumë gjatë sezonit të kaluar dhe pritet të qëndrojnë sërish me Vllazninë. Gjithashtu, në ekip do të qëndrojnë edhe lojtarët e rinj, Enes Isufi, Belajdi Pusi, Samet Ruqi, Ambroz Kapaklija apo Endri Brahimi. Gjithashtu, janë edhe futbollistë të Vllaznisë B që tashmë do të ingranohen në ekipin e parë. Me sa duket, Vllaznia do të ribëhet nga e para.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"