Zbulohet buxheti milioner i Flamurtarit, por rrezikohen sërish vonesa të pagave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2017 | 22:56

Zbulohet buxheti milioner i Flamurtarit, por rrezikohen sërish vonesa të pagave

Flamurtari i këtij sezoni do të jetë skuadër me një me buxhet milionerësh. Kompanitë turke, të cilat kanë në administrim skuadrën vlonjate, edhe për këtë vit do të investojnë miliona euro për klubin. “Panorama Sport” zbardh buxhetin që Flamurtari do të ketë këtë vit. Mbi 1 milion euro është shuma që kompanitë turke do të vendosin në dispozicion për ekipin e parë gjatë sezonit të ri.

Flamurtari autobusi

I gjithë ky buxhet përfshin kontratat dhe pagat e lojtarëve dhe stafit teknik. Po ashtu, një pjesë e këtij buxheti do të shkojë edhe për trajtimin hotelier dhe ushqimor të lojtarëve, si dhe gjithçka tjetër që lidhet me shpenzimet e ekipit. Por buxheti i konsiderueshëm bie ndesh me objektivat.

Në një kohë që vlonjatët miratojnë një buxhet milionerësh, objektivi mbetet minimali, pjesëmarrja në Kupat e Europës dhe respektimi i fanellës. Drejtuesit e klubit pritet që në ditët në vijim të bëjnë publik zyrtarisht edhe buxhetin e ri për sezonin futbollistik që pritet të startojë në shtator.

“Buxheti që ne vendosim në dispozicion edhe për këtë vit është ambicioz. Asnjëherë nuk ka qenë më pak se 1 milion euro. Unë do të dal publikisht që ta prezantoj atë në ditët në vijim”, tha Idrizi.

KONTRATAT

Pavarësisht buxhetit të konsiderueshëm që klubi ka vendosur në dispozicion për këtë sezon, trajneri Shpëtim Duro është munduar që të bëjë një merkato me më pak shpenzime se sezoni i kaluar. Për “Panorama Sport”, trajneri Duro deklaron se kontratat e lojtarëve këtë sezon janë 30-40% më të ulëta se një vit më parë.

Mësohet se paga mujore e futbollistëve këtë vit varion nga 2 mijë në 3 mijë euro dhe në ndonjë rast edhe diçka më shumë. Trajneri Duro thekson se nuk ka dëshirë që të kalojë në aventura financiare dhe të abuzojë me fondet e klubit.

“Jam përpjekur që këtë sezon të kursej klubin dhe të mos blejmë lojtarë me kosto të lartë financiare. Kontratat e nënshkruara këtë vit kanë 30-40% më pak se një vit më parë. Unë nuk bëj aventura financiare. Nuk më pëlqejnë abuzimet. Nuk kemi pse marrim lojtarë shumë të shtrenjtë, në një kohë që me pak lekë mund të marrim disa futbollistë cilë- sorë, ashtu sikundër kemi bërë. Për Flamurtarin tim nuk mund të flasësh për çmenduri financiare”, shprehet Duro.

PROBLEMATIKA

Pavarësisht buxhetit të lartë, Flamurtari rrezikon që të përballet sërish me të njëjtat problematika të sezoneve të shkuara, ku janë vonuar pagat. Mirëpo kjo situatë nuk është aspak e mirë, për shkak se ka çuar deri edhe në largime të lojtarëve dhe shkrirje të ekipit. Për të shmangur disi këtë problem, drejtuesit kanë vendosur që të parapaguajnë lojtarët para se të nisë kampionati.

Në momentin e firmosjes së kontratës, lojtarëve u ka kaluar në llogaritë bankare 30% e kontratës. E vetmja zgjidhje që administratori Idrizi ka kërkuar me këmbëngulje është privatizimi i klubit, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"