Zbulohen prapaskenat/ Tirana i bën presion Muçit për rinovimin: Firmos ose…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2020 | 12:45

Zbulohen prapaskenat/ Tirana i bën presion Muçit për rinovimin: Firmos ose…

Tirana dhe përfaqësuesit e Ernest Muçit prej kohësh janë duke diskutuar për rinovimin e kontratës. Lojtarit të sulmit dhe një prej futbollistëve më të talentuar të ekipit i mbaron marrëveshja në fund të sezonit.

muci

Në fakt, nga klubi nuk ka një njoftim, por mësohet se situata është e vështirë. Drejtuesit bardheblu bëjnë me dije se shumë shpejt do të ketë një marrëveshje përfundimtare mes palëve ku sulmuesi do të firmosë kontratën e re. Gjithsesi, gjërat janë në ajër, të paktën publikisht.

PRAPASKENAT – Realiteti është pak më ndryshe. Në fakt, klubi bardheblu ua ka bërë të qartë përfaqësuesve të lojtarit, që mosrinovimi me sulmuesin do të kishte pasoja të rënda. Nuk do të aktivizohej dhe ndoshta do të përsëritej situata e Malës së Partizanin. Një kërcënim, që në një anë është normal, por nga ana tjetër mund të dëmtojë bardheblutë, sepse ata për momentin Muçin e kanë sulmuesin më të mirë dhe në fund të dëmtoheshin.

mucii

Gjithsesi, të gjithë janë të bindur se gjithçka mund të mbyllet me qetësi dhe dashuri dhe jo me palë në llogore. Për momentin gjithçka ka mbetur në vend, pasi dy palët do të presin për ndonjë marrëveshje deri në fund të merkatos apo në janar. Pra, nëse do të ketë një shitje të Ernestit në një nga skuadrat që paguan më shumë për kartonin e tij dhe që plotëson dëshirat e të gjitha palëve në lojë. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë do të ketë një marrëveshje. Gjithsesi, për momentin palët janë duke diskutuar. Muçi, edhe pse është titullari i skuadrës, ka edhe një vit kontratë me Tiranën.

Nëse nuk rinovon, mund të largohet me parametër zero. Ama flasim për një të ardhme, sepse tani sulmuesi është pa dyshim titullari i skuadrës bardheblu në repartin e avancuar dhe prej tij priten golat e mëdhenj.

SULMUESI – Ernesti me pak minuta ka ditur të shënojë golat e tij, madje duke qenë golashënues në derbi, ashtu si Kordeiro në krahun tjetër. Në ndeshjet e Europës ka shkëlqyer. Nuk ka shënuar, por paraqitja në sfidën me serbët e ka çuar kuotat në 500-600 mijë euro për kartonin. Skuadrat që e duan janë disa. Ndoshta në fund do të ketë një largim për një aventurë europiane. Le të shohim…

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"