EKSKLUZIVE/ Zbulohen prapaskenat te Tirana, ja sa kushtoi “divorci” me trajnerin Mema

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2019 | 10:59

EKSKLUZIVE/ Zbulohen prapaskenat te Tirana, ja sa kushtoi “divorci” me trajnerin Mema

Tirana dhe Ardian Mema ndahen zyrtarisht edhe me letra, ndërsa “divorci” do t’u kushtojë bardhebluve. Palët më në fund kanë arritur akordin për një ndarje konsensuale, pas largimit të trajnerit nga stoli menjëherë pas ndeshjes me Bylisin. Këto ditë mësohet se është mbyllur edhe ndarja zyrtare mes palëve.

halili mema

Kontrata e vjetër është revokuar, ndërkohë që është arritur një marrëveshje me shkrim ku Tirana duhet ta paguajë trajnerin deri në mars 2020. Më saktë, palët kanë arritur një marrëveshje ku Tirana do të nxjerrë nga arkat e saj rreth 30 milionë lekë të vjetër, pa përfshirë këtu trajnerin e dytë Erion Xhafa. Letrat janë firmosur nga palët dhe të gjithë janë të lirë. Në fakt, Mema u largua nga ekipi më 24 tetor, por vetëm pas 21 ditësh gjithçka u mbyll në detaje.

Për t’u shënuar është fakti se Tirana do të paguajë dy trajnerë deri në mars. Palët janë ndarë me konsensus, sepse arritën marrëveshjen për ndërprerjen e bashkëpunimit me njëri-tjetrin. Humbja ndaj Bylisit ka rezultuar fatale për trajnerin Mema, i cili i ka dhënë fund aventurës me bardheblutë.

Mema mori drejtimin vitin e shkuar në javën e 9-të në ndeshjen me Flamurtarin, pasi kishte pasur rolin e zëvendëstrajnerit me Ilir Dajën te skuadra vlonjate. Ai u largua pas javës së 9-të të këtij sezoni nga drejtimi i skuadrës bardheblu. Trajneri në fillim të këtij sezoni kishte mbështetjen e plotë nga klubi, por mungesa e rezultateve pozitive e tronditi stolin e tij. Shifrat – Trajneri arriti ta drejtonte Tiranën një sezon të tërë.

ardi mema refik halili

Më saktë, në Superiore drejtoi 37 javë, ndërsa në Kupën e Shqipërisë në 9 takime. Ia doli që të shkonte në finalen e Kupës së Shqipërisë, por u mund nga Kukësi 2-1, ndërkohë që në kampionatin e shkuar doli i shtati me 47 pikë. Skuadrën këtë sezon e la pas javës së nëntë, tri pikë nga kreu i renditjes, pasi kishte koleksionuar 14 pikë, pothuajse dyfishi i trajnerëve të sezoneve të shkuara. Mesatarja e fitoreve për Memën ishte 37 për qind, në 46 ndeshje që ka drejtuar ekipin bardheblu.

OLSI AVDIJAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"