Zbulohen prapaskenat pas takimit me Voltana Ademin, si u zbut revolta në Shkodër (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Maj 25, 2020 | 22:16


Zbulohen prapaskenat pas takimit me Voltana Ademin, si u zbut revolta në Shkodër (E PLOTË)

Katër ditë bojkot stërvitjes dhe më në fund vjen zgjidhja. Në ditën e Fiter Bajramit, Vllaznia gjen akordin me lojtarët për t’i rikthyer në stërvitje sot në orën 09:00. E shtuna dhe e diela kanë qenë shumë intensive, derisa futbollistët vendosën unanimisht të pranojnë garancinë që u dha për anën financiare, por jo vetëm, kryebashkiakja Voltana Ademi.

3 (1)

“Panorama Sport” publikoi që të shtunën në faqen e saj zyrtare në internet “Panoramasport.al”, për një takim në bashki mes kryebashkiakes Ademi, administratorit Suad Lici, trajnerit Mirsad Jonuz, ndihmësve të tij Safet Osja dhe Ideal Lekiqi, si dhe dy titullarëve, kapitenit Gilman Lika dhe mbrojtësit Renato Malota.

Këta të fundit përfaqësonin të gjithë ekipin, pasi të enjten kishin marrë vendimin unanim të bojkotonin stërvitjen deri në zgjidhjen e problematikës. Por çfarë u tha në takimin e së shtunës në bashki dhe çfarë ndodhi të dielën? “Panorama Sport” zbardh të gjitha prapaskenat që e bënë skuadrën të kthehet sot në fushën e stërvitjes.

TAKIMI DHE ZGJIDHJA 

“Ju keni të drejtën tuaj për ato që pretendoni, por ju lutem të na jepni pak kohë për ta zgjidhur këtë situatë. Premtimi im është që do të merrni ato që ju takojnë, por kthehuni sa më parë në stërvitje, sepse ky është një dëm i madh për imazhin e klubit. Bëjeni për mua, sepse përpara datës 3 qershor, kur rinisni kampionatin, do të kalojmë pagat”. Kështu mësohet të ketë thënë kryebashkiakja para “senatorëve” të Vllaznisë dhe stafit teknik në takimin e së shtunës.

Këta të fundit kanë kërkuar garanci absolute nga klubi dhe në të njëjtën kohë i kanë bërë të ditur Ademit se do të jepnin përgjigje përfundimtare nëse pranonin këtë propozim të dielën. Kësisoj, dje futbollistët u rimblodhën në Shkodër dhe pasi u konsultuan me njëri-tjetrin, lajmëruan drejtuesit se do të dalin në stërvitje, duke besuar te fjala e dhënë nga kryebashkiakja.
Voltana Ademi
Por cilat ishin premtimet e tjera të Ademit? Burime në ekip tregojnë se kryebashkiakja ka dalë garante për kalimin e një page para datës 3 qershor, por duke lënë të hapur se mund të jepen edhe dy rroga direkt. Gjithashtu, pas urdhrit të saj, menjëherë drejtuesit kanë gjetur zgjidhje për banesat e futbollistëve të huaj dhe atyre që janë nga rrethet e tjera të vendit.

Lojtarët kanë qenë të kërcënuar nga pronarët e shtëpive me qira për t’i liruar banesat pas një jave, por tashmë bashkia ka gjetur një zgjidhje, duke paguar qiratë deri në korrik. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është fakti se futbollistëve u është garantuar se duke nisur që sot do të konsumojnë ushqimin në një nga restorantet e Shkodrës për të gjitha vaktet.

VLLAZNIA

Ky ka qenë një kusht i panegociueshëm nga futbollistët pas rebelimit të tyre, pasi përveç faktit se nuk ishin paguar qiratë e banesave, kanë pasur probleme edhe me faturat e dritave apo ujit. Lojtarët që nuk janë nga Shkodra e kanë pasur të nevojshme që të ushqehen në një restorant që klubi u kishte vendosur deri në momentin kur u ndërpre kampionati dhe më pas ndodhi surpriza e pakëndshme. Kur futbollistët u kthyen pas dy muajsh, u ishte hequr edhe ushqimi.

 NJOFTIMI I KLUBIT

Pas akordit mes palëve (drejtues, lojtarë dhe staf teknik), klubi shkodran doli dje me një komunikatë për shtyp. “KF Vllaznia sh.a. njofton rifillimin e stërvitjes së ekipit të parë ditën e hënë, ora 09:00, në kuadër të përgatitjeve për startin e Superligës. Duke qenë vazhdimisht në krah dhe në mbrojtje të interesave të futbollistëve dhe stafit tekniko-sportiv të Vllaznisë, është gjetur mirëkuptimi për zgjidhjen e çështjeve të cilat janë bërë publike këto ditë. Bashkia e Shkodrës, klubi, stafi dhe futbollistët do të jenë të përqendruar maksimalisht në arritjen e parametrave sa më optimalë për rifillimin e Superligës, me synim paraqitjen sa më të mirë të mundshme në të dyja kompeticionet ku Vllaznia vazhdon të jetë në garë: kampionat dhe Kupën e Shqipërisë. KF Vllaznia sh.a. siguron opinionin futbolldashës dhe tifozët e mrekullueshëm kuqeblu se do të bëjë çdo gjë që është e mundur për krijimin e kushteve për të synuar arritjen e objektivave të sezonit”, citohej dje në njoftimin e klubit shkodran.

ADMIR URUÇI  – PANORAMASPORT.AL

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com