Zbulohen prapaskenat/ Në Tiranë e dënuan, Kobina gjen skuadrën e re. Ja ku do të transferohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2020 | 23:11

Zbulohen prapaskenat/ Në Tiranë e dënuan, Kobina gjen skuadrën e re. Ja ku do të transferohet

Uinful Kobina u dënua me 100 orë punë të detyruar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shqipëri për falsifikim dokumentesh, por tani mesfushorin e Tiranës e pret… Kazma.

uinful kobinah

Jo vegla që zakonisht përdoret për punë, por skuadra nga Superliga e Kuvajtit, që sipas medias vendëse, ka siguruar një parakontratë me futbollistin ganez. “Panorama Sport”, duke iu referuar asaj që raportojnë mediat kuvajtiane, mëson se lojtari ka arritur marrëveshjen, nga ku do të përfitojë edhe një rrogë të majme.

KOBI

Për lojtarin nuk do të jetë një vend i panjohur, sepse edhe më parë ka pasur një aventurë në Gjirin Persik. Gazetat dhe mediat kuvajtiane e bëjnë të mbaruar kalimin e mesfushorit te Kazma SC.

KONFIRMIMI

Është pikërisht gazeta “Alanba” në Kuvajt, që në faqen e internetit raporton një lajm të tillë. Nga klubi Tirana nuk ka ende një konfirmim për firmosjen e marrëveshjes me klubin kuvajtian. Në fakt, janë shumë oferta në adresë të Kobinës.

Janë skuadra nga Arabia dhe Lindja e Mesme, Kina, Afrika, Egjipti që kërkojnë mesfushorin me tipare sulmuese. Pritet që në ditët në vazhdim të konfirmohet e ardhmja e tij, që me shumë mundësi nuk do ta mbyllë nëntorin në Tiranë. Sot ndaj Korabit mund të jetë ndeshja e fundit e ganezit me fanellën bardheblu.

kobinah

Gazeta ka zbuluar se ai do të shitet për 150 mijë euro, para që do t’i përfitojë klubi Tirana. Pas gjyqit penal dhe vendimit, lojtari ka vendosur të largohet për të firmosur një kontratë të re me një skuadër tjetër.

Kobina me shumë mundësi do të lërë këtë javë kryeqytetin shqiptar për të bërë vizitat mjekësore dhe testimet e rastit me një klub tjetër, para se të finalizojë marrëveshjen për transferimin e tij përfundimtar në një kampionat më të mirë se ai shqiptar ose të paktën më fitimprurës financiarisht.

I njëjti burim ka raportuar se klubi në fjalë (Kazma SC) ka kërkuar prej kohësh Kobinën, por ka vendosur vetëm tani të konkretizojë marrëveshjen. Nga ana e Tiranës është konfirmuar vetëm fakti që lojtari do të largohet nga bardheblutë dhe do të shitet në një skuadër tjetër. Mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet. Kujtojmë që në sezonin e shkuar ai u kthye në një nga liderët e skuadrës.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"