EKSKLUZIVE/ Zbulohen prapaskenat, Muçi rinovim me kusht te Tirana. Në janar mund të largohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2020 | 8:29

EKSKLUZIVE/ Zbulohen prapaskenat, Muçi rinovim me kusht te Tirana. Në janar mund të largohet

Javë më parë Ernest Muçi rinovoi për një vit kontratën me Tiranën, por me kushtin që ai të luante 70 për qind të ndeshjeve. Burime në klubin bardheblu bëjnë me dije se menaxherët e lojtarit, veç rritjes së rrogës, kanë arritur të garantojnë aktivizimin e lojtarit në 70 për qind të ndeshjeve dhe ky detaj është një nga pikat e kontratës.mucii

Me sa është marrë vesh, politika e re e klubit është që Muçi të luajë dy të tretat e kampionatit. Një veprim ky që sjell automatikisht Muçin në formacion për një pjesë të madhe të takimeve. Në fakt, kalimi i Muçit si titullar këtë sezon është vënë re. Sulmuesi ka luajtur çdo takim në krye të sulmit. Ernest Muçi, jo vetëm është paraqitur shumë mirë në Europë, por lista për ta blerë është e gjatë.

Pas kërkesave nga Jang Bojsi apo shumë skuadra të tjera europiane, Tirana ka pasur bisedime edhe me ekipin e Lucernës. Kanë qenë disa menaxherë që e kanë kërkuar lojtarin të bashkohet me ekipin zviceran në janar. Është e sigurt që Ernest Muçi, e shumta në fund të sezonit, për të mos thënë që në janar lë Shqipërinë, për t’u transferuar në një skuadër të re e për t’i sjellë goxha të ardhura ekipit të Tiranës.

Paraqitja në Europë ka çuar kuotat në 500-600 mijë euro për kartonin. Skuadrat që e duan janë disa. Te Tirana besojnë që lojtari do të shitet me një vlerë të madhe në merkaton e janarit, duke sjellë jo pak para në arkat e klubit Tirana. Ernest Muçi ka katër vite te Tirana. Ai ka ardhur në sezonin 2017-2018 kur trajner ishte Ze Maria.

Në këto sezone, Muçi ka luajtur në 53 ndeshje, duke qenë në fushë 2423 minuta dhe gjatë kësaj fashe loje ka shënuar 16 gola. Me aq sa është aktivizuar, Nesti ia ka dalë që të shënojë golat e tij. Muçi sezonin e shkuar ishte golashënuesi në derbi, teksa ndëshkoi Partizanin në tri takime.

OSLI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"