Zbulohen prapaskenat/ Kamza përfitoi 20 mijë euro, Fushtarin e ndihmoi Ivan Perisiç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2018 | 19:24

Zbulohen prapaskenat/ Kamza përfitoi 20 mijë euro, Fushtarin e ndihmoi Ivan Perisiç

Mbrojtësi kroat, Ivan Fushtar, u bë një prej lojtarëve më të kërkuar në merkaton e janarit. 28-vjeçari mbylli pjesën e parë të sezonit te Kamza duke qenë një titullar i padiskutueshëm. Fillimisht u përfol për interesimin e Skënderbeut, madje për arritjen e një marrëveshjeje paraprake nga klubet për shitjen e mbrojtësit.

Fushtar

Mirëpo, me kalimin e ditëve, gjërat ndryshuan dhe Fushtar përfundoi në shënjestrën e Partizanit. Klubet kishin rënë dakord për shifrën që do të jepet për afrimin e Fushtarit te të kuqtë. Edhe vetë kroati ishte dakord, por një mosmarrëveshje mes drejtuesve bëri që akordi të prishej. Mirëpo, nga ana tjetër, kroati dukej i vendosur për t’u larguar nga Kamza.

Në skenë doli një ofertë e çmendur nga Singapori për të vijuar më pas në ditët e para të janarit me klubin Al Arabi, që drejtohet nga kroati Luka Bonaçiç, i cili ka qenë edhe trajner i Dinamos së Tiranës. Presidenca e Kamzës ia kishte bërë të qartë mbrojtësit se do të ishte i lirë vetëm nëse jepte 20 mijë euro për kartonin në rast se luante jashtë Shqipërisë dhe 70 mijë nëse firmoste me një klub të Kategorisë Superiore.

Mbrojtesi

Fushtar arriti marrëveshjen me Al Arabi, ku përfiton 12 mijë dollarë në muaj. Vetëm pesë ditë më parë ai debutoi me skuadrën e re në Katar, ndërsa derdhi në arkën e Kamzës 20 mijë euro. Mirëpo, kjo shumë nuk u likuidua nga drejtuesit e klubit nga Katari, por vetë lojtari.

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se Fushtar ka kërkuar ndihmën e yllit të Interit, Ivan Perisiç, pasi e kishte të pamundur që të shlyente “kesh” një pagesë të tillë. Gazeta mëson se mbrojtësi ka miqësi të hershme me Perisiç dhe ky i fundit e ka ndihmuar në këtë moment duke i bërë “dhuratë” 20 mijë euro për lëshimin e kartonit.

Një histori ku u deshën me dhjetëra negociata dhe kërcënime me gjyq për t’u mbyllur e lumtur falë ndërhyrjes së kroatit të Interit. Tashmë mbrojtësi është i qetë dhe që në ndeshjen e parë në Katar debutoi si titullar.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"