Zbulohen prapaskenat/ Dinamo “gol” Partizanit me Gjatën, fierakët mbajnë 80% të kartonit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2021 | 8:56

Zbulohen prapaskenat/ Dinamo “gol” Partizanit me Gjatën, fierakët mbajnë 80% të kartonit

Mario Gjata është goditja tjetër e madhe e Dinamos në merkaton e verës. Sulmuesi pritej të firmoste me Partizanin, por dje presidenti i Dinamos, Ardian Bardhi, dhe drejtuesit e Apolonisë kanë arritur një marrëveshje dhe 21-vjeçari është zyrtarizuar te blutë. Ka qenë vetë klubi dinamovit që ka konfirmuar afrimin e lojtarit.

Gjata

“Mario Gjata është afrimi më i ri i Dinamos. Ish-sulmuesi i Apolonisë do të jetë një vlerë më shumë për skuadrën në objektivat e këtij sezoni. Pas përfundimit të grumbullimit me Kombëtaren U-21, Gjata do të vihet në dispozicion të trajnerit Shkëmbi për të vijuar përgatitjet”, citohej ndër të tjera në njoftimin e klubit blu. Sulmuesi vjen pas katër sezonesh me Apoloninë, ku vetëm në kampionatin e fundit luajti në Superiore dhe në 35 ndeshje shënoi 8 gola.

Paraqitja e mirë e tij dhe golat e shënuar kanë bërë që fieraku të grumbullohet edhe me Kombëtaren U-21. Me afrimin e Gjatës, blutë e kryeqytetit mbyllin merkaton verore, duke qenë skuadra më aktive. Qëllimi i presidentit Bardhi është që Dinamo të kthehet menjëherë kompetitive në elitë.

PRAPASKENAT – Partizani dukej më afër Gjatës sesa Dinamo, por kërkesat e drejtuesve fierakë u plotësuan nga blutë. “Panorama Sport” mëson se të kuqtë nuk ia garantonin aktivizimin si titullar fiks Gjatës, teksa ishte një kërkesë e panegociueshme e vendosur nga vetë sulmuesi.

Mihana-Gjata

Por, nga ana tjetër, Apolonia donte të mbante 80% të kartonit dhe kjo nuk u pranua nga “demat”. Kësisoj, Dinamo bëri një kontratë 3-vjeçare me Gjatën, ndërsa klubet gjetën një marrëveshje të tillë, që në rast se lojtari nuk shitet pas sezonit të parë, atëherë kartoni i tij do të jetë 40% në pronësi të bluve dhe 60% për fierakët.

SULMI I RI – Në merkaton e Dinamos bie në sy fakti se të tre qendërsulmuesit e afruar janë në moshë shumë të re. Para Gjatës, me skuadrën e rikthyer në Superiore pas shumë vitesh janë bashkuar edhe Xhuljano Skuka, 23 vjeç, si dhe afrikani Stefen Çinedu, 21 vjeç.

Nga këta të tre, vetëm Gjata e ka provuar Superioren më parë, ndaj dhe mbetet për t’u parë nëse kjo zgjedhje e stafit blu do të rezultojë efikase apo do të ndihet nevoja e një sulmuesi me përvojë.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"