Zbulimi i sezonit, Trashi: Kukësi më ka bërë ofertë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2013 | 12:06

Zbulimi i sezonit, Trashi: Kukësi më ka bërë ofertë

Lushnja-Partizani, Trashi feston ushtarakishtNjë nga zbulimet e Lushnjës këtë sezon ishte edhe mesfushori Lorenc Trashi. Trajneri Bano rrezikoi jo pak me Trashin, që e mori nga Gramshi edhe i besoi vendin e titullarit. Mesfushori tregoi një formë të mirë duke shënuar 4 gola, të cilët kanë qenë përcaktues duke i dhënë Lushnjës pikë të plota. Loja e mirë e mesfushorit ka rënë në sy të shumë ekipeve të Superligës, që tashmë kërkojnë shërbimet e tij për pjesën e dytë të sezonit. Lorenc Trashi konfirmon se gjatë kësaj kohe ka pasur oferta, konkretisht nga Kukësi, ku veriorët duan ta bëjnë të tyrin që në merkaton e janarit. Mesfushori, në një prononcim për “Panorama Sport”, u shpreh: “Duke qenë se është kohë merkatoje, në adresën time kanë mbërritur ofertat e para. Kam pasur ofertë nga Kukësi, por asgjë nuk është konkretizuar, pasi do të ketë bisedime të tjera. Lushnja po kalon një gjendje jo të mirë, ndaj edhe kështu nuk mund të vazhdohet, pasi dua që të ketë siguri financiare. Gjithsesi, ka kohë për të vendosur. Më parë do të bisedoj me drejtuesit e Lushnjës dhe më pas do të vendos për të ardhmen. Pasi të marr fjalën e Lushnjës, do të përcaktoj se pjesë e cilit ekip do të jem. Kam një kontratë me Lushnjën dhe, nëse më lënë të lirë, do e vijoj karrierën time te një ekip tjetër. Deri më tani më ka kontaktuar vetëm Kukësi”, – u shpreh Trashi, i cili ka munguar në seancat e fundit stërvitore. Kjo mungesë i shton dyshimet nëse ai do të jetë pjesë e Lushnjës këtë sezon.
Koincidenca – Është koincidencë, por Trashi kërkohet prej ekipit që e ndëshkoi pas aventurës mbresëlënëse në Europë. Më 4 shtator Kukësi shkoi në Lushnjë me petkun e triumfuesit në Ligën e Europës dhe fitoren e konsideronte formalitet. Por, ishte pikërisht Trashi që uli euforinë e veriorëve, duke zhvilluar një lojë mbresëlënëse dhe shënuar golin e fitores për lushnjarët. Kukësi e kërkon Trashin në merkaton e dimrit, por kjo do të mësohet vetëm në ditët e para të janarit.
Armand Nezha

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"