Zbulimi i Kastriotit, Mulaj: Ja pse lashë Kosovën për Shqipërinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2018 | 15:46

Zbulimi i Kastriotit, Mulaj: Ja pse lashë Kosovën për Shqipërinë

Me fitoren e arritur në transfertë ndaj Besëlidhjes dhe humbjes së Egnatias në Shijak, Kastrioti ka arritur të shkëputet dhe tri pikë të tjera nga vendi i dytë dhe tashmë diferenca është 15 pikë.

kastrioti

Në këtë ndeshje krutanët “humbën” Malindin, i cili për shkak të dëmtimit të marrë në mollëzën e faqes, do të mungojë rreth 4 javë. Tekniku Nikaj, në sfidën e së shtunës, pas largimit nga fusha e lojës të Malindit, në vend të tij aktivizoi kosovarin e afruar në merkaton e janarit, Erblind Mulaj.

mulaj1

Mesfushori debutoi suksesshëm, duke arritur që të shënonte edhe golin e dytë të takimit. Në intervistën e tij të parë, mesfushori shprehet se ndihet i kënaqur që ka zgjedhur të jetë pjesë e Kastriotit dhe premton se do ta shpërblejë besimin e dhënë.

27867581_1829315867140148_2157918726516914652_n

U larguat nga Kosova dhe zgjodhët pikërisht Kastriotin. Përse kjo zgjedhje?

U largova nga Kosova për një aventurë të re në karrierë dhe Shqipëria ishte vendi ideal. Zgjodha Kastriotin për arsye se është një klub i mirë, i organizuar dhe me objektiva madhore.

A jeni ambientuar me skuadrën, si po ju duket Shqipëria dhe më konkretisht, Kruja?

Po, jam ambientuar shumë shpejt, për këtë arsye falënderoj shokët e ekipit, trajnerin, që më kanë bërë të ndihem si në shtëpinë time. Shqipëria është një vend i shkëqyer, ndërsa Kruja është e mrekullueshme, pasi ka njerëz të mirë dhe mjaft të sjellshëm”.

Debutuat me gol që në takimin e parë me fanellën e Kastriotit, si ndiheni?

Normal që ndihem i lumtur, por kjo duhet të jetë një motiv shtesë për të punuar më shumë. Në Shqipëri, futbolli është më cilësor, ndihem mirë falë bashklojtarëve, trajnerit pasi më kanë përkrahur shumë, shpresojmë që së bashku t’i arrijmë objektivat e klubit.

Keni një dedikim për golin e shënuar?

Për golin falënderoj Zotin, familjen dhe skuadrën. Ishte një kënaqësi e dyfishtë për mua që shënova në ndeshjen time të parë.

Sa e njihni kampionatin dhe formulën e Kategorisë së Parë? E shihni Kastriotin të ngjitur apo përgjysmimi i pikëve rihap garën?

Ky përgjysmim i pikëve nuk më duket i drejtë, pasi penalizohet ai që ka më shumë pikë. Megjithatë, edhe pas këtij përgjysmimi, ne nuk trembemi. Shoh që skuadra ka lojtarë me përvojë të madhe, që dinë mirë të menaxhojnë këto situata. Këta lojtarë janë edhe mjaft cilësorë. Po ashtu, kemi edhe një trajner profosionist që na mban me këmbë në tokë. Me angazhim dhe koncentrim do arrijmë objektivat e klubit.

L.Pasha

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"