Zbulimi dhe heroi i Egnatias, Pedro: Frymëzohem nga Ronaldo “fenomeni”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2021 | 15:52

Zbulimi dhe heroi i Egnatias, Pedro: Frymëzohem nga Ronaldo “fenomeni”

Sulmuesi brazilian, Pedro Augusto Kabral, ka qenë një pikë kyçe deri tani për Egnatian dhe falë tij rrogozhinasit morën një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Laçit. Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, Pedro tregon si u ambientua tek Egnatia, arritjet personale, golat, idhulli i tij dhe si ndihet në Shqipëri.

pedro augusto

Pedro si e vlerësoni startin tuaj me Egnatian, me 4 gola në 5 ndeshje?

Nuk e kisha menduar një fillim të tillë, por duke bërë detyrën si duhet po arrij që të kontribuoj edhe në rezultatet e skuadrës. Kam pasur edhe fatin me vete në ndeshjet e fundit, sidomos ndaj Kastriotit dhe Laçit, ku kam shënuar gola me vlerë.

Tek Egnatia erdhët gjatë verës, a është ky kulmi i karrierës për ju?

Futbollin e kam nisur që i vogël dhe mund të përmend skuadrën Bahia, ku si sulmues luaja në kampionate midis qyteteve me të rinjtë ku kam fituar shumë trofe. Më pas kam luajtur si profesionist në disa klube në Brazil. Menaxheri im në verë, pas përfundimit të kampionatit atje më tha se kishte një ofertë nga Shqipëria, pikërisht nga Egnatia që sapo ishte ngjitur në Superiore. Mendova se kishte ardhur momenti për të bërë hapin e duhur dhe vendosa shpejt. Ardhja tek Egnatia më mundësoi të ambientohem mirë dhe dalëngadalë të tregoj cilësitë e mia. Deri tani më ka ecur shumë mirë. Të luash në një kampionat ku vjen si i panjohur dhe ndjehesh mirë do ta quaja një bast të fituar me veten time e këdo që beson tek unë.

Çfarë kërkoni të arrini tek Egnatia?

Dua të kontribuoj për ekipin sa herë të më kërkohet dhe bashkë me shokët ta ngjisim Egnatian sa më lart. Dua t’i përmbush pritshmëritë që kanë në klub tek unë. Deri tani kemi bërë mirë, ndonëse ndonjëherë kemi qenë të pafat. Nuk na mungon asgjë që të jemi konkurrues. Synimi mbetet përfaqësimi dinjitoz dhe klubi të arrijë objektivat që ka.

Sa gola besoni se mund të shënoni në këtë sezon të parë në Superiore?

Më mirë të mos deklaroj asnjë shifër, pasi çdo herë punoj shumë që të jem në formë të mirë. Nuk neglizhoj në stërvitje, përkundrazi dhe individualisht se lë kohën të më shkojë dëm. Shikoj shpesh programe përgatitore që më vlejnë kur jam në aktivitet apo pushim. Kam shënuar deri tani po nuk do të thotë se do të ndalem. I frikësohem vetëm ndonjë dëmtimi të rëndë, po duhet të falënderoj Zotin dhe mundohem të ruhem në ndeshje dhe stërvitje. Golat të japin kënaqësi atëherë kur ekipi është në garë për t’u renditur sa më lart.

pedrooo

Kush është sulmuesi që ju frymëzon apo idhulli nga futbolli botëror?

I kam ndjekur me vëmendje të gjithë futbollistët më të dëgjuar të të gjitha kohërave, si Ronaldo “Fenomeni” e plot të tjerë. Mendoja se edhe unë do të zgjidhja numrin 9 apo 99 siç e kam tek Egnatia. Numrat dhe statistikat zgjidhen e arrihen me një idhull që të shoqëron në çdo hap. Më pëlqen të godas nga distanca e t’i vlerësoj krosimet nga shokët brenda zonës. “Fenomeni” do të mbetet gjatë pikë referimi për mua që të lë gjurmë të mira kudo ku luaj.

Cili është miku juaj më i ngushtë që keni tek Egnatia?

Tek Egnatia jemi si një familje e madhe, ndonëse kemi përfaqësues nga disa vende të botës. Këtu kam patriotë nga Brazili, ku Xhekson dhe Eller kanë ardhur më herët dhe e kam më të lehtë komunikimin dhe ndajmë shumë gjëra. Të gjithë më respektojnë e bëjmë shaka. Jemi për një qëllim e nuk më pëlqen të them se kë kam më shumë mik. Fryma e grupit është e duhura. Miq të mirë do të quaj edhe tifozët. Kohën e lirë dalim në qytet ku respekti ndaj nesh nuk mungon.

Çfarë ju ka bërë përshtypje nga Kategoria Superiore?

Në kampionatin shqiptar luhet futboll i fortë, ashtu si në çdo shtet. Futbolli është njësoj, ashtu si dhe pikët. Pozitive mbetet se tek Egnatia ka korrektësi nga të gjithë dhe klubi ka plotësuar çdo kusht. Gjëra negative nuk kam parë. Edhe pse jemi të huaj, vlerësohemi pa masë. Luajtëm në Laç, fituam, tifozët na duartrokitën dhe çdo gjë ishte korrekte.

ALDO BUZI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"