Zbor pas darkës, Setien bën ligjin te Barcelona. Trajneri i ri i rreptë në punë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2020 | 19:35

Zbor pas darkës, Setien bën ligjin te Barcelona. Trajneri i ri i rreptë në punë

Kike Setien debuton te Barcelona me një… darkë. Përpara se të zbresë në fushën e lojës për të drejtuar katalanasit në ndeshjen e parë, trajneri 61-vjeçar ka ftuar për darkë të gjithë skuadrën në mënyrë që të prezantoheshin më mirë me njëritjetrin. Blaugranët u takuan me njëri-tjetrin në një nga restorantet më të njohura të Barcelonës. Luis Suarez, i cili sapo është operuar dhe Osman Dembele që ndodhet në Doha për t’u rikuperuar nuk ishin prezentë. 

960-600-kike-setien

Pjesa tjetër e lojtarëve ishin të gjithë, përfshirë edhe lojtarin e talentuar Riki Puxh, i cili është bërë pjesë e ekipit të parë nga trajneri Setien. Pas shkarkimit të Ernesto Valverdes, trajneri i ri kërkon të krijojë një frymë më pozitive dhe të bashkojë grupin e futbollistëve për të arritur objektivat sezonalë. Setien donte ta shfrytëzonte këtë darkë në mënyrë që në ekip të jenë sa më të bashkuar dhe të jenë një familje e madhe, sepse vetëm kështu mund të shkojnë larg. Ambienti i qetë dhe bashkëpunimi mes lojtarëve është një nga armët më të forta të trajnerit të ri. Ai dëshiron që të gjithë të jenë të bashkuar dhe kjo darkë është një mënyrë e mirë për të nisur.

Spain Soccer Barcelona Setien

Mësohet se Setien ka komunikuar thuajse me të gjithë lojtarët kryesorë të skuadrës, mes tyre Leo Mesin dhe peshat e tjera të rënda në klub. Gjithashtu ai u ka kushtuar vëmendje të veçantë edhe lojtarëve të talentuar dhe të akademisë katalanase si Riki Puxh dhe Ansu Fati. Ata duhet të ndihen të përfshirë në këtë projekt dhe Setien më mirë se kushdo tjetër di që të formojë një grup. Për këtë nuk ka dyshime, por grupi i tij duhet të tregojë veten në fushën e lojës. Barcelona do të debutojë mbrëmjen e nesërme kundër Granadës dhe me performancën e tij kërkon që të bindë edhe tifozët që janë skeptikë ndaj tij.

barcelona

STËRVITJET 

Lojtarët e Barcelonës duhet të mësohen me trajnerin e tyre, në të mirë dhe në të keq. Jashtë fushe është një njeri popullor, por kur bëhet fjalë për punën nuk ka miq. Gazeta “MARCA” shkruan se futbollistët janë të surprizuar nga mënyra se si ai e stërvit ekipin dhe deri tani ato kanë qenë shumë intensive dhe me ushtrime të ndryshme. Kike me pjesëtarët e stafit të tij kërkojnë që t’i rikthejnë lojtarët në formë optimale fizike sepse mendojnë që në ndeshjet e fundit ka pasur një rënie. Fytyra të lodhura dhe të rraskapitura, por gjithashtu të motivuar në maksimum për të ndryshuar ecurinë jo të mirë. “Çfarë bëhet kështu! Lodhje e madhe”, janë bisedat mes lojtarëve katalanas në fundin e seancave stërvitore. Setien e ka nisur me dorë të hekurt dhe thotë se secili duhet të mbajë vendin e tij kur bëhet fjalë për punën. “Mesin e adhuroj si lojtar, por secili duhet të mbajë vendin e tij dhe të punojmë për të mirën e Barcelonës”, tha Setien në konferencën e parë kur u prezantua.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"