Zbardhet projekti, ja si do jetë “Ruzhdi Bizhuta”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2014 | 9:15

Zbardhet projekti, ja si do jetë “Ruzhdi Bizhuta”

StadiumiNjë impiant tërësisht i ri, me standarde ndërkombëtare. Të paktën kjo është përshtypja që të jep kur vëren pamjet e projektit sesi do jetë “Ruzhdi Bizhuta” në tetorin e këtij viti. Një gjë të tillë e konfirmon në vetë të parë edhe kryeministri i vendit, Edi Rama, ditën e djeshme, gjatë takimit me medalistët e peshëngritjes dhe atletikës. “Do ta transformojmë rrënjësisht stadiumin e qytetit të Elbasanit, një impiant i cili do të mirëpresë ndeshjet e ekipit tonë kombëtar dhe që do të jetë, falë një projekti jashtëzakonisht interesant, një stadium ku do t’iu duket vetja si jashtë shtetit jo vetëm sportdashësve tanë, por edhe skuadrave që do të vijnë nga jashtë, që do të befasohen nga pamja, nga kushtet dhe nga cilësia. Ky është projekti i stadiumit të Elbasanit dhe kështu do të jetë në tetorin e këtij viti, ku do të presë në ndeshjen e parë ekipin tonë kombëtar. Është një projekt që po e realizojmë në bashkëpunim me Federatën Kombëtare të Futbollit”, ka thënë Rama. Prej muajsh, “Ruzhdi Bizhuta” është shembur dhe po punohet me intensitet të lartë pasi brenda muajit shtator duhet të jetë plotësuar gjithçka kërkohet, nga tribuna e re, te shkallët moderne dhe gjithçka që i duhet një stadiumi ku mund të zhvillohen madje ndeshje çerekfinale të Ligës së Kampionëve për nga kategoria dhe cilësitë e tij. Bëhet fjalë për një investim rreth 2 milionë euro nga qeveria shqiptare dhe FSHF-ja për një stadium, i cili do të ketë një kapacitet mbi 12 mijë vende.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"