Zbardhet projekti, ja plani i Tomorit për Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2018 | 14:55

Zbardhet projekti, ja plani i Tomorit për Superioren

T omori e konsideron këtë edicion si të suksesshëm. Edhe pse kampionati nuk është mbyllur ende, drejtuesit e klubit i kanë bërë një skaner ecurisë së këtij sezoni. Në një deklaratë ekskluzive për “Panorama Sport” është analizuar gjithçka, duke nisur që nga promovimi i futbollistëve të 19-vjeçarëve, e deri te dy trajnerët, Santiliano Dule dhe Gersi Arbri.

tomori tirana

Sakaq, në këtë deklaratë janë bërë të ditura edhe objektivat për sezonin e ardhshëm, ku synimi do të jetë rikthimi në Superiore pas 5 vitesh. Drejtuesit mendojnë se tashmë e kanë formuar boshtin, pasi kanë promovuar plotë 10 futbollistë nën moshën 19-vjeçare dhe me 3-4 përforcime mendojnë se do t’ia dalin.

ANALIZA

Në deklaratën për gazetën thuhet: “Klubi i Tomorit e konsideron mjaft të suksesshëm këtë edicion sportiv, pasi kemi nisur një cikël që do t’i vijë në ndihmë ecurisë së skuadrës për sezonin e ardhshëm apo edhe atë më pas. Duke parë eksperiencën që ne si drejtues të këtij klubi kemi fituar përgjatë këtyre viteve në kampionatin shqiptar, fokusi dhe prioriteti ynë ka qenë gjithnjë të investonim fuqishëm tek ekipet e moshave, pasi shkolla e trajnimit është edhe oksigjeni i padiskutueshëm i ekipit të parë.

tirana tomori

Duke studiuar me mjaft kujdes edhe elementët që ndodhen aktualisht në ekipin e 19-vjeçarëve, menduam që të investonim fuqishëm, ndërsa ata ndodhen me njërën këmbë në Kategorinë Superiore, teksa i ndajnë disa javë nga finalizimi. Kjo gjë tregon se dëshira jonë mbetet gjithnjë promovimi i lojtarëve vendës dhe, si rrjedhojë e kësaj, ne kemi punuar shumë me trajnerët e ekipit të parë duke u shtuar atyre një pikë në kontratë, ku gjatë punës që do të zhvillonin me ekipin e parë, të hedhin edhe sytë vazhdimisht tek e ardhmja e Beratit.

Gjë që është anashkaluar më përpara. Gjithashtu, kemi promovuar edhe 4 trajnerë vendës. Pa diskutim që diç- ka e tillë nuk ndodh me asnjë klub në vendin tonë. Berati ka fituar trajnerë si: Iken Droboniku, Santiliano Dule, Gersi Arbri dhe Klemend Agalliu, që do të jenë në  shërbim të Tomorit kurdoherë. Momentalisht, ne kemi krijuar një staf me trajnerët në fjalë, ku bashkëpunimi është i shkëlqyer dhe po punohet fort për të ardhmen.

tomori

Gersi Arbri dhe Klemend Agalliu janë trajnerët e ekipit të parë, teksa Droboniku drejton 19- vjeçarët dhe Dule sapo ka marrë në dorë ‘frenat’ e 17- vjeçarëve. Gjithashtu, Tomori ka promovuar 10 futbollistë përgjatë këtij sezoni (Xhuljano Serdari, Denis Xherimeja, Aldion Ajdinaj, Flamur Ruçi, Ariel Drabo, Erald Hyseni, Krisild Zoga, Egland Lamaj, Rejdi Buba dhe Sali Kumani). Futbollistët e sipërpërmendur kanë marrë eksperiencën e duhur dhe në sezonin e ardhshëm pritet të jenë pjesë e boshtit të skuadrës.

tirana tomori

Kjo gjë e ndihmon klubin për reduktimin e të ardhurave, por nga ana tjetër jemi të mendimit se një vendës e ndien fanellën më shumë se një ‘jabanxhi’. Sakaq, objektivi ynë do të jetë të rikthehemi në elitë pas një mungese 5-vjeçare dhe kësaj radhe mendojmë se do ta arrijmë me sukses”, përfundon deklarata e klubit beratas për gazetën.

ERIS SYLYKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"