Zbardhet mbledhja te Flamurtari, Idrizi i përvishet mbrojtësit grek: Ta ndryshoj emrin…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2019 | 20:20

Zbardhet mbledhja te Flamurtari, Idrizi i përvishet mbrojtësit grek: Ta ndryshoj emrin…

Sinan Idrizi, “dush të ftohtë” Flamurtarit. “Panorama Sport” mëson se pas ndeshjes me Bylisin dhe humbjes turpëruese 5-0, administratori nuk ka ngurruar të flasë me tone të larta përpara skuadrës dhe stafit teknik, duke shënjestruar edhe lojtarë të veçantë.

Sinan-Idrizi

Ai ka vendosur përpara përgjegjësisë të gjithë mbrojtjen, ndërsa nuk ka ngurruar të tërheqë edhe vëmendjen ndaj emrave konkretë.

KRITIKAT- Më i kritikuari nga numri një i klubit ka qenë mbrojtësi Jorgos Sarris. Sinan Idrizi i ka thënë grekut se ishte inekzistent në fushë dhe se është shumë i zhgënjyer nga ajo që dha ai kundër Bylisit. “Luajtët ndeshjen më të dobët. Ishte loja më skandaloze që unë kam parë ndonjëherë. Nuk ka rëndësi se sa humbet, me çfarë rezultati, rëndësi ka se si përgjigjeni në fushë dhe ju ishit për turp. Mbrojtja ishte copëcopë.

Sarris

Kam kritika për të gjithë ju. Në veçanti për Sarris. Çfarë je ti? Grek je. Do të ndryshoj emrin tani nga (Jorgos) Gerorgos do të vendos ndonjë emër tjetër, se në ndeshjen me Bylisin nuk m’u duke ti fare. Jam shumë i zhgënjyer. Çfarë ishte ky turp. Të gjithë pa përjashtim keni bërë një lojë të shëmtuar. Nuk di çfarë emri të vendos. Në veçanti mbrojtja ishte përtokë. Shumë skandal. Ishit vetëm ca hije që luanit në fushë dhe asgjë më shumë”, u ka thënë ai, duke mos kursyer askënd.

SKEMA – Administratori ka pasur rezerva edhe për stafin teknik që nga skema e hedhur në fushë e deri te përgjigjja e ekipit. “Ç’është ajo skemë në ndeshjen me Bylisin, 3-5-2? Ore, kush jemi ne, Reali apo Bajerni. Mos bëni eksperimente, e kishit mirë atë skemë të ndeshjeve të kaluara. Ekipi nuk po ju përgjigjet në fushë. Ose mblidheni ju, ose t’ju mbledh unë pastaj”, ka thënë Idrizi.

MASAT – Administratori ka paralajmëruar stafin teknik dhe lojtarët për masa. Kreu i klubit u ka thënë se do të ketë largime, pasi nuk e toleron më një situatë të tillë. “Mblidhni mendtë e kokës të gjithë. Nuk na bëni dot për budallenj. Po shkelni fanellën. Nuk toleroj më. Do të ketë masa. Stafi teknik dhe lojtarët të mbajnë përgjegjësi.

Unë kam përgjegjësitë e mia, por ju më shumë në këto kushte. Do të ketë largime në radhët tuaja. Unë nuk toleroj më, nuk mund të mbaj një përgjegjësi të tillë. Nuk ka më vend për ultimatume, ka mbaruar çdo gjë. Do të ketë masa drastike deri në largime”, ka kërcënuar Idrizi.

ERMAL SIKA  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"