Zbardhet lista, Skënderbeu “piketon” dy afrime për janarin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2019 | 8:39

Zbardhet lista, Skënderbeu “piketon” dy afrime për janarin!

Merkatoja nuk është hapur ende, por në Korçë kanë filluar të bëjnë planet për afrimet. Veç tratativave që po bëjnë për të shitur ndonjë lojtar dhe rrjedhimisht shtuar të ardhurat në “arkë”, prurjet duken të domosdoshme. 

skenderbeu

Burime të sigurta pranë klubit bëjnë me dije për “Panorama Sport” se korçarët kanë planifikuar dy blerjet e para. Dhe në listë janë Vangjel Zguro dhe Donald Rapo.

ZGURO – Bardhekuqtë po interesohen gjithnjë e më shumë për mbrojtësin pogradecar. Vangjel Zguro duket se e ka mbyllur aventurën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai aktivizohej në Ligën e Tretë te Shatanoga Red Volves dhe me kontratën që i mbyllet pikërisht në fund të këtij muaji, një rikthim në Shqipëri nuk do të ishte i habitshëm.

Zguro

Dhe përshtatja me ngjyrat nuk do të ishte e vështirë, derisa ekipi në SHBA njihet me emrin “Ujqërit e Kuq”. 26-vjeçari ka përfunduar në “lupën” e Skënderbeut dhe ata e shohin si një përforcim të vlefshëm për prapavijën. Me Zguron që është i aftë të mbulojë dy pozicione në krahun e majtë, si në mbrojtje dhe mesfushë, korçarët do të kishin një armë plus për të mbajtur ekuilibrat në një prapavijë që pëson realisht shumë, konkretisht 21 gola në 12 javë.

RAPO – Nuk është i vetmi që pëlqehet, pasi në listë është përfshirë edhe Donald Rapo. Mesfushori i Luftëtarit njëherazi edhe kapiten i këtij ekipi, shihet si një transferim i mundshëm në Korçë. Aq më tepër kur palët kanë qenë pranë një akordi edhe gjatë verës, por për shuma të vogla financiare marrëveshja nuk u arrit. Me Gjergj Muzakën që praktikisht e ka mbyllur sezonin me atë dëmtim që pësoi disa javë më parë, Skënderbeu ka menduar t’i rikthehet pistës “Rapo”.

Donald Rapo

Ashtu si Zguro, edhe korçari është i aftë të mbulojë disa pozicione në fushën e lojës dhe kjo duket se e ka joshur Skënderbeun që ta përfshijë në plane. Problem i vetëm mbetet kontrata sezonale që e mban të lidhur Donald Rapon me gjirokastritët. Kur jemi ende një muaj e gjysmë larg nga hapja e merkatos, zërat e afrimeve janë bërë më të fortë, por “sekreti” qëndron te largimet. Nëse Skënderbeu largon ndonjë futbollist në këtë merkato, atëherë do e ketë më të thjeshtë për të pasuruar organikën në hyrje.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"