Zbardhet lista, ja si do të jetë Tomori i ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2018 | 22:07

Zbardhet lista, ja si do të jetë Tomori i ri

Tomori ka zbardhur listën e lojtarëve që do të startojnë sezonin e ri futbollistik, të cilët tashmë pa asnjë pikë mëdyshje janë federuar edhe në FSHF. Kjo periudhë lëvizjesh konsiderohet e mbyllur tashmë për klubin beratas, teksa këta janë emrat e futbollistëve që nën drejtimin e trajnerit Gersi Arbri do të synojnë ngjitjen në Superiore dhe fitimin e titullit kampion të Kategorisë së Parë. Ajo që vihet re është një numër i lartë afrimesh në radhët e Tomorit, ku si rrallëherë janë afruar plot 13 futbollistë në këtë merkato vere.

tomori

Kështu që Tomori pritet të ketë një fytyrë tjetër në këtë pragkampionati, duke pretenduar që të tregojë një potencial ndryshe nga herët e tjera. Krahas disa individëve të caktuar që mund të bëjnë diferencën, pasi pritet shumë nga ata, për momentin shpresat e beratasve janë te grupi i lojtarëve që kanë në përbërje dhe gjithçka të shkojë pozitivisht sa i përket përshtatjes së lojës beratase. Mirëpo, në njoftimin që bëhet në faqen zyrtare të klubit në “Facebook”, pavarësisht se merkato konsiderohet e mbyllur, në fund të këtij njoftimi të lihet të kuptohet se nuk përjashtohet në asnjë mënyrë mundësia e ndonjë tratative surprizë. Çdo gjë ngelet për t’u parë në vazhdim, paçka vetë drejtuesit e kanë konsideruar të mbyllur merkaton. Sipas tyre, çdo repart ka alternativa të shumta dhe konkurrenca është tejet e madhe.

MERKATO – Në një komunikatë të shkurtër enkas për “Panorama Sport”, klubi i Tomorit është shprehur: “Mendojmë se kemi bërë lëvizjet e duhura në këtë merkato vere, duke sjellë futbollistë të një kalibri ndryshe nga ai i një edicioni më parë. Çdo dëshirë e stafit teknik është plotësuar dhe çdo repart ka mbipopullim, çka bën që konkurrenca të jetë më e madhe për një vend në formacion. Synimet tona janë të qarta tanimë dhe kjo është një temë e mbyllur.

Capture

Në ndeshjet miqësore kemi treguar shenja pozitive, ku tanimë presim rezultatet e skuadrës dhe në kampionat. Themi se nuk do të ketë më prurje dhe e konsiderojmë të mbyllur merkaton”, u tha nga klubi. Sakaq, skuadra është lënë pushim ditën e djeshme dhe duke filluar që nga sot, skuadra do të fillojë përgatitjet për ndeshjen e parë të kampionatit, atë ndaj Lushnjës që do të luajnë në Berat. Tomori është një prej skuadrave pretendente për t’u ngjitur në Superiore në sezonin e ardhshëm.

ERIS SYLYKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"