Zbardhet formacioni/ Josa u druhet edhe provokimeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2016 | 11:21

Zbardhet formacioni/ Josa u druhet edhe provokimeve

Skënderbeu u ka dhënë fund përgatitjeve në kuadër të “finales” me Flamurtarin dhe udhëton sot drejt Vlorës me qëllimin e vetëm për t’u shpallur për herë të gjashtë kampion i Shqipërisë.

josa1Për korçarët kjo përballje vlen sezonin, ndaj kërkohet një performancë e shkëlqyer e skuadrës, për të ngritur titullin kampion (në varësi të rezultatit mes Partizanit dhe Teutës).

Edhe pse në pamje të parë duken të qetë, drejtuesit, stafi teknik dhe lojtarët janë përfshirë nga ethet e sfidës më të rëndësishme të këtij kampionati. Në kampin korçar nuk mungon eksperienca, optimizmi, besimi, sikurse nuk mungon frika e dështimit.

Numri një i pankinës korçare, Mirel Josa, i cili ka dhe peshën kryesore në këtë përballje me Flamurtarin, ka dhënë porositë e fundit për të besuarit e tij, të cilët pritet të kurorëzohen sot për herë të gjashtë si kampion të vendit. Josa e di shumë mirë rëndësinë e kësaj sfide, ndaj ka folur kokë më kokë me lojtarët, të cilëve u ka dhënë udhëzimet e fundit. Skënderbeu udhëton “i cunguar” drejt Vlorës, pasi “senatorët” si: Salihi, Osmani dhe Radas janë mungesa të konfirmuara prej ditësh.

Formacioni- Tekniku Josa pritet të hedhë në fushë një skuadër, nga e cila kërkon të marrë maksimumin e mundshëm, në një sfidë vendimtare sikurse është ajo që do të zhvillohet sot në Vlorë. Mungesa e Osmanit dhe Radasit në qendër të mbrojtjes ka bërë që Josa të vendosë Jashanicën dhe Arapin, ndërsa nga krahët Abazin dhe Vangjelin. Spostimi në qendër i Arapit i ka hapur udhë Abazit për ta nisur ndeshjen si titullar. Sa i përket mesit të fushës, tekniku Josa ka ndryshuar mendim në lidhje me aktivizimin nga minuta e parë e Nimagës (arsye ende të paqartë), duke konfirmuar Orelesin.

Në këto kushte, mesfusha do të përbëhet nga Latifi, Orelesi, Eskuerdinja dhe Lilaj. Në mungesë të bomberit Salihi, Josa do të prezantohet sot në Vlorë me dyshen shtatshkurtër Plaku- Xhejms.

Numri një i pankinës së “Ujqërve të Dëborës” i druhet çdo situate në këtë përballje, ndaj në seancën përmbyllëse ka dhënë edhe udhëzimet që të mos bien pre e provokimeve, por të luajnë futboll të pastër dhe të tregojnë se vërtet meritojnë të shpallen për herë të gjashtë kampionë të Shqipërisë.

L. Musaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"