Zbardhen prapaskenat, Tomori pranë shitjes. Ja kërkesa e kompanisë italiane me biznesmenë shqiptarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2019 | 17:43

Zbardhen prapaskenat, Tomori pranë shitjes. Ja kërkesa e kompanisë italiane me biznesmenë shqiptarë

Një kompani me biznesmenë shqiptarë kërkon të blejë 76% të aksioneve të Tomorit. Në prag të vitit të kaluar, Bashkia Berat, si aksionerja e vetme e këtij klubi, shpalli shlyerjen e të gjitha borxheve të akumuluara ndër vite dhe tanimë ky borxh është zero.

tomori

Që nga ai moment, Bashkia Berat vendosi që të nxjerrë në shitje 76% të aksioneve të klubit. Pëllumb Salillari, një nga biznesmenët më të fuqishëm në Shqipëri, ishte i pari që dërgoi një letërkërkesë në zyrën e kryebashkiakut, por që fillimisht duhej bërë vlerësimi i aksioneve dhe më pas të dilte në tenderim online. Mirëpo, kjo kërkesë ngeli vetëm për pak kohë dhe më pas gjithçka u harrua. Por tashmë mësohet se një tjetër kompani ka shfaqur interes për blerjen e aksioneve të Tomorit.

KËRKESA

Bëhet fjalë për një kompani ndërkombëtare ekonomike, që operon në disa fusha, “Mela Holding Group”, presidenti i së cilës është me origjinë shqiptare. Qendra e kësaj kompanie gjendet në Venecia të Italisë, por me shtrirje në të gjithë botën. Ndërlidhësi i kësaj kërkese kundrejt bashkisë është një qytetar beratas me banim në Itali, Thoma Jançe, i cili është edhe pjesë e kësaj kompanie serioze.

Capture

Sakaq, Jançe në një prononcim për “Panorama Sport” ka konfirmuar se kjo letërkërkesë ka mbërritur tanimë në zyrat e Bashkisë së Beratit dhe pritet vetëm mbyllja e procedurës së shitjeve të aksioneve nga ky institucion. “Unë e kam dërguar këtë letërkërkesë në datën 30 tetor dhe i kam kërkuar Bashkisë së Beratit të hapim tratativa. Me aq sa kam informacion, ky institucion po merr masat për të bërë të gjitha vlerësimet në bazën ligjore që u takon. Nuk di më tepër. Unë dhe kompania jemi të interesuar të blejmë 76% të aksioneve dhe të marrim në dorë frenat e klubit.

Qëllimi ynë është ringritja vit pas viti deri në vendet elitare të futbollit shqiptar, duke promovuar kulturën sportive, qytetare dhe kulturën në përgjithësi, si dhe sipërmarrjen e turizmin. Mendoj se i kemi të gjitha mundësitë të realizojmë projektet tona me objektivat përkatëse, për ta bërë Tomorin një klub serioz”, tha Jançe.

ERIS SYLYKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"