Zbardhen prapaskenat/ Reja drejt rinovimit të kontratës për 1.2 mln euro, por Duka frenon (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2019 | 23:45

Zbardhen prapaskenat/ Reja drejt rinovimit të kontratës për 1.2 mln euro, por Duka frenon (E PLOTË)

Edi Reja me shumë mundësi do të jetë trajneri i Shqipërisë edhe në të ardhmen. Me shumë mundësi, sepse marrëveshja ende nuk është zyrtarizuar. Vetë presidenti i federatës, Armand Duka, pas lajmit që qarkulloi dje afër mesnatës në lidhje me teknikun e ri të kuqezinjve saktësoi për “Panorama Sport”: “Jo, akoma nuk e kemi një marrëveshje”.

edi reja

Por gjërat, të paktën deri mbrëmë kanë qenë në rrugën e duhur. Reja ka rënë parimisht dakord që të vazhdojë të drejtojë kuqezinjtë edhe për katër vitet e ardhshme me një pagë prej 25 mijë eurosh në muaj (1.2 milionë euro në total).

PRESIONI DHE “NDARJA” E PARË 

Edi Reja i lëshoi sinjale Dukës menjëherë pas Francës, ndonëse vinte nga dy ndeshje aspak pozitive: “Kam oferta të tjera, por dua të qëndroj”. Fjali që mund të interpretoheshin edhe si një mesazh se duhet të rishikojmë diçka në kontratë. Duka, që negociata ka bërë pa fund deri tani, jo vetëm që nuk e hëngri presionin e italianit, por kaloi edhe në kundërsulm.

Ditën tjetër, ai deklaroi publikisht se ishte i gatshëm të negocionte me Rejan, por deklaroi gjithashtu edhe se kishte ardhur koha që Kombëtaren të mund ta merrte një shqiptar. Jo vetëm kaq, por pranoi edhe se ishte lëkundur për 74-vjeçarin pas dy paraqitjeve të fundit të Kombëtares. Këtu palët pësuan një ftohje momentale, por i avantazhuari ishte Duka. Ky i fundit e mbajti pezull trajnerin për 48 orë.

Pas ndeshjes me Francën, Edi Reja priste në Tiranë që të takohej me presidentin e FSHF-së, por Duka e la në pritje deri mesditën e të martës. Në këtë moment Reja mendoi se gjithçka mori fund dhe ai vetë, ose njerëz pranë tij hapën lajmin në median italiane se gjithçka ishte sfumuar.

TAKIMI NË MBRËMJE DHE DETAJET E KONTRATËS

Duka gjithsesi nuk refuzoi ta takonte trajnerin. Lënia në pritje të gjatë ishte vetëm një lojë nervash për ta zbutur italianin që të reduktonte kërkesat. Sidomos ato financiare. Kreu i FSHF-së është takuar me italianin dje në Durrës. Mësohet se Reja i kishte kërkuar një rishikim të kontratës aktuale, por Duka e ka refuzuar kategorikisht.

Duka

“Mbyllja nuk ishte nga më të mirat dhe skuadra ende nuk ka gjetur një balancë që të na bindë. Është një bast i rrezikshëm edhe për mua, më mirëkupto. Po të ofroj të njëjtat kushte që kishe, madje me besimin maksimal duke të të vënë në dispozicion 4 vite. Më shumë se kaq nuk mund të bëj. Ke pasur dorë të lirë gjithnjë, por mundësitë tona financiare këto janë”, mësohet t’i ketë thënë Duka.

reja duka

Reja ka pritur diçka më shumë nga ana financiare, por mësohet se ka kërkuar edhe staf shtesë. As kjo e fundit nuk është miratuar nga Duka, ndonëse ka lënë një spirale se ky kusht mund të rishikohet në të ardhmen. Reja i ka dhënë garanci se loja e Shqipërisë do të përmirësohet në mënyrë progresive, pasi ai e njeh shumë mirë skuadrën tashmë, por Duka gjithsesi nuk ia ka kursyer rezervat dhe pakënaqësitë për dy ndeshjet e fundit.

Burime pranë presidentit të FSHF-së bënë me dije se Reja nuk ka qenë fort dakord për kontratë 4-vjeçare. Jo vetëm prej moshës, por edhe prej stilit të tij të kahershëm të punës. Në fakt, italiani që kur shkeli në Shqipëri pati deklaruar se nuk firmoste kontrata afatgjata. Negociatat e djeshme dhe oferta e Dukës për 4 vite e kanë befasuar edhe vetë atë.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"