EKSKLUZIVE/ Zbardhen prapaskenat e debatit, Starova mbledhje me “senatorët” dy ditë para përplasjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2018 | 20:30

EKSKLUZIVE/ Zbardhen prapaskenat e debatit, Starova mbledhje me “senatorët” dy ditë para përplasjes

Situatë e tensionuar te Partizani. Lorenc Trashi dhe trajneri Sulejman Starova janë përplasur ashpër mes tyre dje, gjatë një ndeshjeje miqësore, dhe në fund trajneri ka kërkuar pezullimin e lojtarit dhe largimin e tij.

Trashi

Gjithçka ndodhi në minutën e 75-të të ndeshjes Partizani-Berliner AK 07 (2-2), kur trajneri i kërkoi Trashit që ta zëvendësonte. “Pse nuk na le me lujt mor burrë?!”, ka qenë reagimi i lojtarit kur trajneri i ka kërkuar të lërë fushën. “Atë e di unë. E di trajneri në çdo rast. Hajde, ec tani…”, mësohet të ketë qenë reagimi i “Bobit”.

Pas kësaj ka vazhduar debati verbal dhe, në fund, janë thënë fjalë nga më të rëndat në adresë të njëri-tjetrit. Në fund, mësohet se trajneri i ka kërkuar stafit drejtues që Trashi as në hotel të mos qëndronte me skuadrën.

Trashi dhe Kotobelli

DREKA DY DITË MË PARË Nuk ka qenë një fazë përgatitore e thjeshtë. Tensioni i Tiranës, kur para nisjes u larguan tre “senatorë” si Krasniqi, Vila dhe Malota ka ndjekur ekipin edhe në Turqi.

Qysh në seancat e para ka pasur mërmëritje dhe ankesa. Disa sepse e quanin mbilodhje fazën përgatitore, disa të tjerë se nuk luanin sa donin në miqësore dhe disa sepse luanin shumë. Në një situatë të tillë mësohet se trajneri Starova ka bërë një takim me disa nga lojtarët kryesorë.

Partizani Starova

“Jemi këtu edhe për t’u lodhur, edhe për të marrë disa ngarkesa. Mjaft me këto ankesat e vazhdueshme! Punoni në një klub të madh, por punoni dhe sforcoheni edhe për familjet tuaja. Hallet e shtëpisë mos i sillni këtu. Të gjithë i kemi lënë hallet e shtëpisë dhe po mundohemi të ndërtojmë diçka të mirë. As unë nuk e kam të lehtë me një grup të kufizuar lojtarësh”, mësohet t’u ketë thënë trajneri.

Lojtarët nuk kanë folur duke dhënë sinjale të një “pakti të heshtur” se nuk do të kishte më ankesa. Por kjo nuk zgjati as dy ditë. Në miqësoren e djeshme, situata ka precipituar në debate të ashpra mes futbollistit Lorenc Trashi dhe trajnerit Starova.

ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"