Zbardhen objektivat e Apolonisë në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2017 | 17:07

Zbardhen objektivat e Apolonisë në merkato

Apolonia e nisi merkaton disa ditë më parë, duke afruar mesfushorin Qemal Mustafaraj. Por, skuadra fierake synon të afrojë edhe disa futbollistë të tjerë gjatë kësaj merkatoje. Në një prononcim për gazetën, administratori i klubit, Kamber Memallaj, zbulon synimet që ka klubi në merkato si dhe objektivat në pjesën e dytë të kampionatit.

Apolonia

“Pas Mustafarajt, do të ketë afrime të tjera. Pasi kemi biseduar me trajnerin Elidon Demiraj dhe stafin teknik, tashmë i dimë nevojat e skuadrës për t’u përforcuar për pjesën e mbetur të sezonit dhe po vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim, edhe pse është e vështirë për t’i gjetur këta lojtarë në këtë periudhë. Në kërkojmë për një portier, një mbrojtës të majtë, një qendërmbrojtës dhe një sulmues.

Jemi në tratativa si në tregun vendës, ashtu edhe atë të huaj për t’i afruar lojtarët që luajnë në këto pozicione. Apolonia do të synojë të ngjitet sa më lart në klasifikim dhe të konkurrojë denjësisht me ekipet kryesuese jo vetëm për të rikuperuar distancën e pikëve që ka me to, por edhe të luftojë edhe për ngjitjen në Superiore”, u shpreh Memallaj.

Më tej, administratori flet edhe në lidhje me një lojtar kosovar që mund të luajë me fierakët në vazhdim. “Futbollisti kosovar Muhamet Berisha është testuar nga drejtuesit teknik që në merkaton e verës. Nuk ka pasur dokumentacionin e plotë. Tashmë ai ka të gjithë dokumentacionin gati për të cilin kemi biseduar dhe në Federatë dhe do të federohet për të qenë pjesë e Apolonisë në vazhdim të sezonit”, shtoi administratori.

Mikel Mbriçaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"