Zbardhen mesazhet mes punonjësve dhe presidentit, ja si i manipulonte Vijari zgjedhjet në Spanjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2017 | 10:05

Zbardhen mesazhet mes punonjësve dhe presidentit, ja si i manipulonte Vijari zgjedhjet në Spanjë

Thellohet skandali në Federatën Spanjolle të Futbollit. Operacioni i nisur disa muaj më parë për të goditur parregullsitë dhe manipulimet e presidentit Angel Maria Vijar vazhdon ende dhe ditën e djeshme kanë dalë të dhëna të tjera që në fakt hedhin hije dyshimi të forta mbi faktin që zgjedhjet për presidentin e federatës në Spanjë manipuloheshin dhe nuk kanë qenë asnjëherë reale.

Vijar

Gazeta spanjolle “Marca” ka zbuluar disa mesazhe mes punonjësve të federatës dhe një rrjeti të mirëfilltë, i cili paracaktonte rezultatin e zgjedhjeve dhe ndikonte hapur te gjyqtarët, lojtarët dhe presidentët e rrethinave. Njeriu më i besuar i Vijarit, i cili u arrestua pak kohë më parë, është Huan Padron.

Ai është krahu i djathtë dhe figuron thuajse në të gjitha bisedat që janë publikuar nga gazeta spanjolle. Ai është “shefi” për shpërndarjen e urdhrave dhe kujdeset deri në detaje që gjithçka të jetë e kontrolluar nga qendra e federatës dhe të shpërndahet më vonë në zonat e tjera. Gjithçka bëhet për votat dhe për përqendrimin e pushtetit vetëm te një person.

FILE PHOTO: Spain's Football Federation President Maria Villar talks to journalists after signing cooperation agreement in Lisbon

“Të gjithë duhet t’u binden atyre që i paguajnë. Në të kundërt, do të përjashtohen”, është mesazhi i përdorur gjithmonë nga Padron për të tjerët. Mirëpo, në ato raste kur dikush refuzon të japë votën pro Vijarit dhe mbështetësve të tij, kërcënohet se do të shtrydhet dhe më vonë se nuk do të ketë asnjë lloj komunikimi me federatën.

Presione nga më të ndryshmet bëhen edhe për lojtarët, ndërsa këta të fundit janë shumë naivë dhe nuk i kërkojnë të drejtat e tyre. Ka edhe nga ato raste, të cilat zbulohen gjatë bisedave, që nuk voton lojtari, por kreu i federatës së qytetit. “Marca” ka zbuluar gjithashtu edhe mesazhet e vetë Vijarit dhe djalit të tij Gorkas.

Vijar FIFA

Madje, ky i fundit informohet se njëri prej lojtarëve do të devijonte, por dikush e bindi të votonte kandidaturën e Vijarit. Mesazhe që në fakt thuheshin se i dinin vetëm dy persona, por “Marca” u kujdes që t’i mësojë e gjithë bota…

MESAZHET E ZBULUARA

Huan Padron për Ester Gaskon

“Këtu presidenti im është i trajnerëve, i arbitrave, i futbollit. Nëse bëjnë të gjithë atë që u them mirë, nëse jo i përjashtojmë. Ata duhet t’u binden personave që i paguajnë. Ester, është e qartë? Kam 32 vite që them se çfarë duhet të bëni. Sa të ketë ligj dhe rregulla do të fitojë futbolli jo profesional, prandaj ne duhet të kemi 60% të kontrollit dhe ata 40%”.

* Huan Padron është zëvendëspresidenti ekonomik, Ester Gaskon është sekretaria e përgjithshme e Federatës.

Bisedë mes Migen Monje dhe Gorka Vijar

Monje: Humbëm një lojtar nga radhët tona. Por e rikuperuam sërish. Këtë nuk mund t’ia thuash askujt sepse është një pakt mes nesh. Djaloshi do të na votojë ne. Mirë?

Gorka Vijar: Mirë, mirë!

Monje: Gjithçka është e kontrolluar. Lojtarët janë shumë naivë dhe nuk e lëvizin b… nëse është për ta. Prova është që nga 260 vota, erdhën për të votuar vetëm 90 dhe të gjithë… Një gjë: Për votat e dini vetëm ti dhe babai yt. Vetëm mos harro atë që të thashë për lojtarin.

*Monje është president i Federatës së Murcias dhe Gorka Vijar, djali i presidentit Angel Maria Vijar.

Gorka i shkruan babait

Dje u mor një vendim për të pasur një të deleguar për klubet në Spanjë. Është në rregull? Mendoj se do të na shërbejë për të kontrolluar votat. Mirë? Mora në telefon Jolin Lorrea. E kujton kush është? I thashë që të shkruante atë të Eibarit, apo ta marrim një herë në telefon ta kuptojmë nëse ka votuar për ne. Nëse jo, le ta heqin nga delegacioni.

Huan Padron, mesazh për Migel Bestard

Këto zgjedhje duhet t’i fitojmë nga baza. Nga asgjë tjetër. Vetëm 16 kryetarët e federatave të vogla vendosim fatin. Të shohim nëse do ta marrë veshë e gjithë bota këtë. Jemi ne ata që fitojmë, jo Sançez Arminio dhe Eduardo Katurla. Sepse trajnerët e mi dhe arbitrat e mi votojnë për atë që u them. Në të kundërt, përjashtohen!

* Huan Padron është zëvendëspresidenti ekonomik, Migel Bestard presidenti i federatës së Balear.

Pako Diez i shkruan Vijarit

“Nëse do që ta shtrydhim, do ta shtrydhim”. Formë presioni për federatën e Madridit në Futsal që nuk pranon të votojë për Vijarin. “Thuaj që po fitova unë, nuk do të kemi më njohje bashkë dhe nuk kemi për të folur më”, i përgjigjet Vijar.

Larrea i shkruan Padron

Larrea: Unë i kam bërë të gjitha punët në rregull. I kam rregulluar votat që do të vijnë të gjitha me postë. Tani do të marr një autobus me fëmijë që të votojmë Bilbaon.

Padron: Aha, ashtu si unë.

Larrea: Po, kjo duhet bërë. Dua të jem prezent në Bilbao për këtë temë.

* Larrea është aktualisht president i federatës së Spanjës. Padron është zëvendëspresidenti ekonomik.

Vijar i shkruan Diezit për Sabejon

Vijar: Do të them diçka. Shkruaj: Shiko Hulio Sabejo. Nëse ti nuk mbështet presidentin e Madridit, atë zotërinë që është me mua dhe nëse mbështet kandidaturën kundër meje, bën gabim. Nëse fitoj zgjedhjet, ndahemi bashkë.

Huan Padron, mesazh për Andreu Subies

Huan Padron: Nëse presidenti im, trajnerët e arbitrat dhe futbolli i sallës nuk bën atë që i them unë, i largoj menjëherë. Kjo ndodh prej 32 vitesh këtu. Nuk lejoj askënd që të na ndryshojë planet.

* Andreu Subies ishte presidenti i Katalonjës.

Vijar, mesazh për Rafael Luzan

Kur ushtrohet autoriteti, atëherë unë fus në lojë paranë. Ti do thuash jo dhe të lutem mos e bëj këtë, por do të vish edhe ti të kërkosh “supën” tënde. Autoriteti është mbi atë që na kushton ne.

SMS mes Huan Padron dhe Ramon Hernandez Bausou

Padron: Atëherë lojtarët për kë janë?

Bausou: Ah. Sigurisht që po…

Padron: I sigurt që s’janë kundër.

Bausou: Hahaha, çfarë njeriu. Isha vetë që ua shënova votën.

Padron: Hahaha, i sigurt apo jo?

Bausou: E zezë mbi të bardhë don Huan Padron.

* Busou është sekretari i Federatës Tinerfena.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"