Zbardhen kërkesat e Maganit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2016 | 15:59

Zbardhen kërkesat e Maganit

Zbardhen kërkesat e para të Gugash Maganit. Trajneri i ri i Flamurtarit ka nisur zyrtarisht punën për të ndërtuar ekipin e tij. “Panorama Sport” zbulon se në takimin e zhvilluar me Sinan Idrizin, peqinasi i ka parashtruar disa kërkesa për merkaton.magani Magani i ka dhënë në tavolinë administratorit preferencat e tij. Duket se “peshkimi” do të nisë nga Ballshi. Trajneri ka evidentuar dy elementë nga Bylisi, konkretisht mbrojtësin Borislav Simiç dhe sulmuesin Ardit Hoxhaj. Dhe klubi nuk do të hezitojë dhe menjëherë do të nisë bisedimet për të dy futbollistët. Mbrojtësi, i cili mbylli sezonin me mallakastriotët, ka një karrierë të pasur.

Ai ka luajtur me disa ekipe si: Inter Zapresiç, Sindeliç Beograd, Cukatick, Smederevo, Ceke Budejovice dhe Teleoptik, ndërsa nëse tratativat do të shkojnë siç duhet, ekipi i tij i ri mund të jetë Flamurtari.

Po ashtu, trajneri i ri kërkon me insistim edhe vlonjatin Ardit Hoxhaj. Sulmuesi 21-vjeçar ka dalë nga akademia e Flamurtarit, ndaj drejtuesit janë gati që të bëjnë një ofertë joshëse edhe për të. Burime të gazetës konfirmojnë se trajneri do të kthejë vështrimin edhe nga akademia. Ai menjëherë ka kërkuar që të ketë në organikën e tij 4 produkte vendëse dhe ndër to është David Bocaj.

Grupi

Në bisedën mes Sinan Idrizit dhe Gugash Maganit është diskutuar edhe për lojtarët që mbyllën këtë sezon në Vlorë. Ekziston mundësia që disa nga ata të qëndrojnë. Mësohet se trajneri ka shprehur dëshirën e tij fillimisht për dy lojtarë, konkretisht për sulmuesin Danilo Alvesh, si dhe për Lukas Martins.

Por mendohet që klubi të mbajë disa lojtarë nga ata që mbyllën në Vlorë sezonin. Uruguaiani Ingacio Nikolini, portieri Ilion Lika, vlonjati Hektor Idrizaj, si dhe kosovari Kushtrim Lushtaku duket se janë në planet e klubit. Vetë administratori dy ditë më parë deklaroi se është gati që të mbajë lojtarë, por me një kusht.

“Nëse ai e shikon të arsyeshme që të mbajmë lojtarë nga sezoni i fundit, është problem i tij. Por unë dua të më argumentojë dhe të më mbushë mendjen që këta lojtarë ia vlejnë dhe e ndiejnë peshën e fanellës. Nëse më bind, atëherë pse mos të vijnë. Për mua, minimumi dhe maksimumi vetëm dy mund të qëndrojnë, por nëse trajneri do më shumë, duhet të më bindë nëse ata ia vlejnë të vishen më me fanellën tonë”, pat deklaruar Idrizi.

Përgatiti: Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"