Ylvi Pustina, mjeshtri i shahut që humbi shansin të sfidonte Fidel Kastron

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2016 | 22:27

Ylvi Pustina, mjeshtri i shahut që humbi shansin të sfidonte Fidel Kastron

Ishte gushti i vitit 1951, një djalë me pan tallona të shkurtra dhe me valixhe në dorë doli nga Shtëpia e Pionierit të Tiranës dhe mori drejtimin për në agjencitë e autobusëve aty pranë, për të prerë biletën. Po nisej për në Pogradec, ku zhvillohej Kampionati Kombëtar i të rinjve në shah. Pas një jave, kthehet si kampion dhe pak më vonë, pikërisht në shtator, do të marrë pjesë në Kampionatin Kombëtar për të rritur, ku renditet i pesti. “Ky është një talent për shahun shqiptar”, tha dikush dhe nuk kishte gabuar. Pas një viti, ai shpallet kampion i vendit kur ishte vetëm 17 vjeç dhe këtu do të fillonte karriera e Ylvi Pustinës, veterineri që habiti botën shahistike. Çfarë bën sot mjeshtri, protagonist për gjysmë shekulli i kuadrateve magjike, njeriu që u ndesh “me thikë në brez” me gjigantët e kohës?

pustina

Djalë i një nëpunësi të Ahmet Zogut

Ylvi Pustina, një emër që e rrethon një histori, karrierë e madhe pa limite e kufi, pa dyshim një ndër kolosët e shahut shqiptar. Djali i Hamit Pustinës, shkolluar në Stamboll, punonjës në administratën e Mbretit Zog. Në një familje me 7 fëmijë, 5 vëllezër, dy motra, Ylviu i katërti, i lindur në vitin 1935, të gjithë luanin shah, nga doktor Irfan Pustina, kardiolog, kushëriri i afërt dhe kampion i Tiranës në vitin 1938. Ndonëse pëlqente të bëhej aktor, por ishte Sabriu, vëllai i madh matematicien, që e shtyu të luante me moshatarët duke e regjistruar në rrethin e shahut në Shtëpinë e Pionierit. Ishte vetëm 10 vjeç kur mësoi fjalën “mat” dhe filozofinë e thellë që ka ky term jo i zakontë e shumë i lashtë, por që do ta shoqëronte në heshtje gjatë gjithë karrierës.

Fitorja e parë kur ishte nxënës te “Qemal Stafa”

Nga një gjimnazist i “Qemal Stafës”, pastaj veteriner, pa menduar se ky profesion nuk do t’i jepte famën që mori dhe ka nga sporti. Nxënës dhe kampion që në vitin e dytë në të mesme kur arrin fitoren e parë në Kampionatin Kombëtar të vitit 1951, e diel 9 dhjetor 1951. Të hënën në mëngjes herët me shumë kureshtje shokët vështronin moshatarin e tyre 17-vjeçar, madje edhe gjimnastika e mëngjesit nuk u zhvillua, pasi nxënësit e klasës të entuziazmuar e morën në krahë. Kishte mundur Fatos Omarin, maturantin e kësaj shkolle. Po atë ditë në orën e kimisë mësuesi I. Shabani e vlerësoi me notën negative 2 duke i thënë. “O bëj sport, o bëj mësimet!”. Pasi u informua, drejtori Stefan Prifti njoftoi të gjithë mësuesit: “Ylviu të mos pyetet në mësim e të vijë kur të dojë në shkollë”, gjatë ditëve që zhvillohet aktiviteti. Pas një viti shpallet kampion kombëtar, duke qenë pjesëmarrës aktiv, por edhe nxënës e student deri kur u diplomua në vitin 1958. Perfeksionoi rusishten si gjuhën e rëndësishme për të lexuar e komunikuar me botimet shahistike.

Në Përmet, stërvitje me oficerët madhorë

Ka qenë ndër nxënësit më të mirë të “Qemal Stafës”, me prirje për matematikë, fizikë, kimi, por sipas një planifikimi nga qeveria e dërguan në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare. E mbaroi në 1958 dhe e emëruan k/veteriner në rrethin e Përmetit, ku qëndroi 2 vjet si lojtar i “Tiranës” dhe ku filloi karrierën në vitin 1950 kur Zyber Konçi drejtonte klubin. Ndërsa shah luante me oficerët madhorë që punonin e jetonin në ato zona, pastaj rikthimi në Tiranë, si redaktor dhe gazetar te “Zëri i Rinisë”, duke mbuluar çështjet bujqësi, blegtori e sport. Luante shpesh pas orarit zyrtar me Todi Lubonjën, pasi zyrat i kishin pranë. Për të vijuar si mësues e drejtor në Shkollën Bujqësore dhe më 1969 kalon në Ministrinë e Bujqësisë, ku ministrin Pirro Dodbiba e kishte pasur pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor. Në vitin 1973, Pustina kërkoi të largohej nga ajo detyrë pasi mungonte gjatë duke penguar punën. Ndërsa priste të aprovohej kërkesa e tij, mbeti i shtangur kur Dodbiba i tha: “Ylvi sa të jem unë ministër do qëndrosh këtu e nuk do të largohesh, madje me shah e sport duhet të merren edhe njerëzit e Byrosë Politike”.

Të luash me “thikë në brez”

Në përfundim të turneut individual të Varnës 1960, kur ishte vetëm 25 vjeç, revista bullgare “Shahmatni mils” shkruan: “Kampioni shqiptar Pustina luajti kundër të gjithëve me thikë në brez, pavarësisht nga titujt dhe përvoja e kundërshtarëve. Ai ishte i suksesshëm kundër olimpistëve tanë. Pustina fitoi ndaj kampionëve e mjeshtërve ndërkombëtarë pretendentë, si Neikir, Pandevski, Milev, duke ndarë nga një gjysmë pike e barazuar me mjeshtërit të mëdhenj si Trifunovc, Krogius”. Duke i vënë nofkën “bullgarovrasës”, revista shprehu mendimin se ai mund të luftonte edhe për vendin e parë. Pas përfundimit, drejtuesit e Federatës Bullgare të Shahut i propozojnë të qëndrojë me shpenzimet e tyre e të marrë pjesë në një turne tjetër në Bullgari, që organizohej për përgatitjen e Ekipit Olimpik Bullgar për Olimpiadën e vitit 1962. Ndonëse me mjeshtër të njohur në përbërje, ata kishin interes për të pasur një shahist të përgatitur të stërvitej me ata bullgarë. Por pasi ka informuar Komitetin Shtetëror të Fizkulturës, e kanë urdhëruar të kthehet menjëherë në Tiranë.

pustina1

“Tekniku”, “Gladiatori” kështu e thërrisnin

Ka qenë i jashtëzakonshëm, me një shikim shumë të thellë, intuitë dhe zgjuarsi natyrale. Të gjithë e kishin frikë dhe askush nuk dëshironte të luante kundër tij. I paparashikueshëm, i aftë të dilte nga situata që teorikisht ishte e pamundur, por ai me kombinacionet që krijonte realizonte situata tejet të vështira për rivalët. “Tekniku”, kështu e quanin, pasi ia njihnin kapacitetin teknik që zotëronte. Nëse krijonte epërsinë më minimale e transformonte atë në një epërsi taktike dhe psikologjike të madhe. “Është një gladiator i vërtetë”, thoshin nën zë në mjediset shahistike.

Pjesëmarrja në gjashtë olimpiada

Pustina ka marrë pjesë në 6 olimpiada botërore, duke grumbulluar 38.5 pikë në 85 ndeshje, me këtë bilanc: 20 f/37 b/ 29 h) (45.29 %), Gligoriç, Portish, Ivkov, Brauan, Ulman nga mjeshtrit më të mëdhenjtë e kohës. Ja rezultatet: 1960 – Laipcig (RDGJ): Pustina, B.Hoxha, E.Konçi, F.Omari, M.Veizaj, përgjegjës ekipi V.Gjikondi; 1962 – Varna (Bullgari): Pustina, E.Duraku, E.Konci, M.Veizaj, T.Siliqi, F.Omari, N.Kadiu përgjegjës ekipi; 1970 – Ziegen (RFGj): Pustina Duraku, Vila, V.Adhami, E.Konci, F.Omari, Tr B Hoxha; 1972- Shkup (Jugosllavi): Pustina Vila, Adhami, Muco, rezervë Omari, Zadrima, M.Luci përgjegjës ekipi; 1980 – La Valeta (Maltë): F.Muça, V.Adhami, Pustina, Zadrima, Dh.Qëndro, I.Karkanaqe. 2000 – Stamboll (Turqi): Dervishi, Adhami, Rama, Pustina, Sula, Mehmeti.

Shkup 1972: Dama në D3 – “Shqipëria në mesin e fuqive”, pastaj bojkoti

“Një ndër befasitë më të mëdha pozitive të fazës gjysmëfinale paraqet pa dyshim hapi i madh përpara i përfaqësueses së Shqipërisë, për një kohë të shkurtër ndërmjet dy olimpiadave. Sidomos u dallua më tepër, i shkëlqyeshmi, lojtari kryesor Pustina, i cili në një konkurrencë shumë të fortë nuk humbi asnjë lojë, duke grumbulluar 4.5 pikë në 7 ndeshje duke zënë vendin e parë së bashku me “Mjeshtrin e Madh” Bobocov, e duke lënë pas “Mjeshtrit e Mëdhenj” Doner, Kapllan, Braun etj. Kjo nuk është e rastit, pasi loja e tij është vërtet kualitative dhe e sigurt. Kjo u duk në duelin me Australinë ku Pustina luajti kundër kryemjeshtrit Braun dhe gjatë gjithë lojës ishte në lartësi në të gjitha drejtimet. Në lëvizjen 10. Dd3 Pustina tregon se posedon dituri moderne nga teoria e shahut”. Edhe Damjanovic, një mjeshtër i madh kroat, pas fitores ndaj Australisë në një shkrim te “Borba” dhe “Politika” do të shprehej: “Edhe Shqipëria në mesin e fuqive”. Kjo është Olimpiada Botërore e vitit 1972 zhvilluar në Shkup, e lidhur me disa momente historike: Për një gjysmë pike nuk u sigurua grupi final-A; Kombëtarja refuzoi të luante kundër Izraelit (sepse politika e kohës nuk lejonte përballjet ndaj SHBA-së, Spanjës, Republikës së Afrikës së Jugut, Izraelit e Bashkimit Sovjetik); pastaj përjashtimi. U tha se ky ishte një ndër shkaqet ndonëse pas Izaelit skuadra luajti edhe në vazhdim të turneut, ndaj Italisë e Kolumbisë. Por motivi ka qenë tjetër: Përjashtimi nga Olimpiada erdhi si pasojë e bojkotit që përfaqësuesit e delegacionit shqiptar nuk pranuan të shkojnë në pritjen protokollare në Beograd që do të jepte Presidenti i Nderit të Olimpiadës Marshalli Tito, por që u refuzua. Pas disa vitesh, pjesëmarrës në turneun Ballkanik në Bihac (Bosnje) në Jugosllavi, në vitin 1979, delegacioni shqiptar vendosi të zbatojë programin duke bërë një vizitë të rrallë në “Shpellat e Titos” në Bihac, kështu quhej vendi, tashmë i transformuar në një Shtëpi Muze, ku kishte qëndruar Komanda Ushtarake e Jugosllavisë gjatë luftës.

pustina2

Përballë konsulentit të Bob Fisherit

I ka ndodhur në vitin 1958 në Olimpiadën Botërore për Studentë e të Rinj në Varna, bashkë me mjeshtrit Duraku Veizaj, T.Siliqi, F.Omari e trajnerin B.Hoxha, kur shorti e ka përballur me amerikanin, Uilliam Lombard, një ndër shahistët më të mirë për kohën, edhe ai pjesëmarrës në këtë turne botëror. Takimi ka përfunduar në barazim dhe ndoshta mbetet si rasti i parë i një kontakti sportiv-kulturor me SHBA-të, çka vetëm pas viteve ’90 u mundësua pa probleme. Por vite më vonë Pustina do të informohej se pikërisht Lombard ka qenë konsulenti kryesor i kampionit të famshëm amerikan, Bob Fisher.

Një trajtim modern i “Dragonit” dhe “Ataku Zemich”

Nga barazimi me mjeshtrin sovjetik Abramov në 1956, sukseset në Kampionatin V Botëror të Studentëve në 1958, fitoret kundër mjeshtërve bullgarë Prahov, Filçev, ajo kundër mjeshtrit të dëgjuar ndërkombëtar izraelit Çernsiak, që u botua dhe u komentua në gazetën “Sovjetski”. Pastaj takimi me mjeshtrin Durao, kampion i Portugalisë, luajtur në Olimpiadën e XIV Botërore të Lajpcigut 1960: “Një takim që paraqet interes të veçantë teorik, sidomos stadi i hapjes dhe trajtimi modern i ‘Dragonit’, një ndër variantet e sicilianes, ku Pustina luan me të zinjtë dhe kemi lojë kundër lojë të maskuar për zënien e kuadratit qendror në d5. Një lëvizje psikologjike e të ziut, i cili me qetësinë më të madhe pranon një komplikacion, që në lëvizjen e 42-të e detyron Durao të dorëzohet, ndonëse takimi që në lëvizjen e tetëmbëdhjetë duhet të ishte mbyllur”, ishte komenti pas loje. Dhe kur mjeshtri hungarez Baan Jeno pas një turneu miqësor do të deklaronte se “Nuk do të jetë e largët dita që mjeshtrin Pustina do ta dëgjoni si shahist të shquar në arenën ndërkombëtare”, pak do ta besonin, pasi ishte gati e pamundur, por koha tregoi të kundërtën dhe se Baan Jeno nuk kishte gabuar.

Në Rumani “çmend” publikun

Në janar të 1960-s, në Bukuresht zhvillohet turneu “Kupa e Miqësisë e Rinisë së vendeve të Ballkanit dhe Detit Mesdhe”. Pas barazimit me Gliceskun, vjen fitorja me Bogdanov, “Mjeshtër i Madh” bullgar, ndaj të cilit Pustina sakrifikoi papritur dy figura. Duartrokitje nga qindra spektatorë në sallën e leksioneve të Institutit të Naftës e Gazit përshëndetën për disa minuta fitoren e shkëlqyer dhe organizatorët e ftuan të ngjitej në podium. Kohë më vonë, në vitin 1973, ai do t’u shfaqet sërish rumunëve duke i habitur gjatë një turneu miqësor me ekipin e qytetit të Jashit. Luajti në tavolinën e parë kundër mjeshtrit ndërkombëtar Vajsman. Pas azhurnimit, në vazhdimin e ndeshjes pas një dite kur të gjithë mendonin se loja ishte një finale damash plotësisht e barabartë, Pustina bëri lëvizjen e jashtëzakonshme tipike të tij që i dha fitoren.

“ELO” e parë shqiptare

Ndërsa kujton se çmimin e parë bashkë me një “grusht me të holla” si shpërblim i ka marrë nga Llazar Lipivani në janar të 1953 te kinema “Republika”, gjithashtu nuk harron të thotë se është shahisti i parë shqiptar që në vitin 1970 ka marrë “ELO”-n e parë të FIDE-s. (Erpard Emrik Elo i lindur në vitin 1903, ishte një shahist hungarez me profesion profesor fizike, i transferuar në Amerikë në vitin 1960, krijoi metodën e kalkulimit të klasifikimit sipas rendimentit dhe formës aktuale të shahistëve, që mori emrin e tij, e cila u aplikua nga FIDE në vitin 1970). Ka mbi 150 ndeshje ndërkombëtare pjesën më të madhe në tavolinën e parë, aty ku luajnë të fortët me të fortët. Lojtar i sigurt, krijues në hapje, me një stil sulmues, mjeshtër i kombinacionit, i lojës aktive, me nuhatje pozicionale, shumë i shpejtë në meslojë, teknikë të lartë në realizimin e epërsisë në të gjitha fazat e lojës dhe virtuoz e befasues në finale. Pustina njohu dhe aplikoi të gjitha zhanret e shahut si sport-art-shkencë. Figurë shumë dimensionale, me individualit të spikatur, me njohje e prestigj kombëtar e ndërkombëtar. Shahist me fantazi, duke krijuar e gjetur rrugëdalje në pozicionet më të vështira. Me një psikologji të jashtëzakonshme, intuitë, autoritet, ai e zotëronte mjedisin kur shkelte dhe nuk u shfaqte dhe nuk u kuptonte asnjëherë nga kundërshtarët se ishte entuziast, jo në formë, apo kishte probleme të ndryshme.

Simultane me artistë

Shahu ka një rregull të rrallë: I ke miq e shokë, me ta qëndron, por në tavolinë i ke kundërshtarë. Pastaj sërish një kafe, cigare, i njëjti ritual gjatë karrierës që nuk ka limite moshe. Ke edhe mjaft admirues, ndër ta sportistë e artistë, mjekë e pedagogë, nga të gjitha shtresat. Por dy kanë qenë ata që i qëndronin pranë tavolinës kur luante: Ish-mësuesi i tij i frëngjishtes, shkrimtari Nonda Bulka, dhe pedagogu i letërsisë në gjimnaz, edhe ky shkrimtar, Mark Gurakuqi. Edhe në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve, Ylvi Pustina ka qenë i preferuar për shkrimtarë, kompozitorë, piktorë, aktorë të gjithë përballë tij në simultane, në mjedise plot spektatorë duke parë mjeshtrin që, për disa orë, lëvizte nga një tavolinë te tjetra. Teodor Laço, Dr. Prosi, këngëtari Gjoni Athanas, Bujar Kapexhiu, etj., kanë qenë disa nga kundërshtarët e tij. Ishte eveniment i madh i kohës në vitet ’70, kur në klubin e famshëm të Lidhjes së Shkrimtarëve zhvillohej Simultane e artistëve me Ylvi Pustinën.

pustina3

“Lapsus manus”, ndëshkohet në fund

Olimpiada Botërore, në Stamboll 2000. Pustina ka humbur me “Mjeshtrin e Madh” anglez, Hudson. Ndonëse në një pozicion më të mirë, por pas një “gabimi dore”, lëviz një kalë në një kuadrat të gabuar dhe me lëvizjen tjetër të kundërshtarit detyrohet të dorëzojë lojën. Këto janë humbje që vijnë jo si pasojë e gabimeve teorike, taktike, llogaritjeve të gabuara po edhe për “gabim dore” ose “lapsus manus” pasi kështu quhen.

I humburi është gjithmonë fajtor

Me këtë motiv është edukuar kur ka luajtur dhe asnjëherë nuk e ka përdorur shprehjen “kot e humba”. Analizat e ndeshjeve për të gjetur shkaqet e humbjeve i bënte shumë më vonë, pasi ishte çliruar nga emocionet. Në Olimpiadën e vitit 1960, në takimin me kampionin e Jugosllavisë, Gligoriç, një nga tetë lojtarët më të fortë në botë, në një finale të barabartë me nga një torre, mbretin dhe 4 ushtarë, Pustina ka bërë një gabim llogaritje që i solli humbjen e lojës. “Nëse do të propozonte barazimin, do ta pranoja”, u shpreh pas lojës Gligoriç.

Kujt do t’i rikthehej…

Do të donte të ishte atje, por nuk ka mundur: 1966, në Havanë zhvillohet Olimpiada Botërore, gjatë së cilës në një simultane Fidel Kastro ka luajtur në tavolinën e parë me ish-kampionët e botës. Por, për arsye politike, ekipi shqiptar nuk mori pjesë. Do t’i rikthehej librit që realizoi në vitin 1973, kur ishte koha e luftës kundër ideologjive të huaja, situatave të ashpra e të tensionuara politike, sociale, të cilat e detyruan të hiqte emrat e shahistëve të mëdhenj, mjeshtër të vendeve lindore në librin e tij, të cilin e botoi pa to. Nuk do të dëshironte të luante përballë vëllait, Abit, dhe djalit Adrian kur ky ishte 7 vjeç. Do t’i rikthehej edhe një herë “match”-it final ndaj Durakut në vitin 1954, por edhe përballje të pazhvilluar: Atë ndaj Republikës së Afrikës së Jugut në Olimpiadën e vitit 1970 në Ziegen, kur skuadra shqiptare nuk pranoi të luante kundër ekipit afrikanojugor duke humbur 4-0, ndonëse epërsia e shahistëve shqiptarë ishte e dukshme. Si dhe mospjesëmarrja në Olimpiadat Botërore nga viti 1962 deri 1970, dhe nga 1972 deri 1980, kur ishte në kulmin e formës dhe karrierës.

Kandidat për deputet

Në vitin 1991 dhe 1992, kandidoi për deputet me Republikanët, pastaj hoqi dorë nga aktiviteti politik. Për shumë vite ka qenë trajner e drejtues i ekipit përfaqësues i 17 Nëntorit, por ka kohë që nuk angazhohet më. Sidoqoftë, me dëshirën për paqe e mirëkuptim, në vitin 1997, një ditë para zgjedhjeve, në një situatë tejet të tensionuar që po kalonte vendi, pikërisht më 28 qershor me kërkesë të tij, pranë bashkisë në brendësi të lulishte “Skënderbeut”, u zhvillua një simultane shahu me motivin: “Thirrje për paqe”, në të cilin morën pjesë zyrtarë e drejtues të Bashkisë së Tiranës.

Në turneun “Over 60”

Viti 1999, ka marrë pjesë në kampionatin e 9-të botëror të shahut për “Seniorë”, që u zhvillua në Gladbah. Përfaqësues i zonës europiane 1/5-at të Fide-s, i ftuar nga presidenti i këtij organizmi, armeni Oganessian, i vetëm midis 200 shahistëve nga 5 kontinentet është ndeshur me mjeshtër të gjithë “Over 60”. Bilanci: Katër fitore, pesë barazime dhe dy humbje, pas një fillimi jo të mirë dhe një mbylljeje të gjatë me sukses, kur në shtatë takimet e fundit mori pesë pikë e gjysmë. U rendit nga vendi 30-50 me 60% të pikëve të fituara: Bashkë me Shqipërinë në këtë grup ishin edhe Greqia, Qipro, Malta, Turqia, Serbia, Armenia, Gjeorgjia, Maqedonia. Pa harruar edhe pjesëmarrjen e dytë në 2007 në Austri.

Çfarë bën sot, ku dhe si jeton mjeshtri Ylvi Pustina

Nëntë herë kampion kombëtar, 10 herë fitues i “Turneve më të mirë”, 5 herë fituesi i anketës “10 sportistët më të mirë”, “Mjeshtri i Parë i Merituar” i shahut, ai që nuk mungoi për 37 vite në kampionate, spartakiada, olimpiada botërore, turne ndërkombëtare, jeton në Tiranë bashkë me djalin Ardian, ndërsa vajza Etleva ndodhet me familjen në Angli. Edhe ata matematicienë e shahistë, ndërsa gruaja, bashkë me vëllezërit dhe motrat, ka kohë që nuk jetojnë më. Gëzon një shëndet të mirë, nuk konsumon duhan, ruan një memorie të admirueshme dhe i pëlqen që të luajë me nipërit e mbesat, edhe ata shahistë… Për shumë vite ka qenë trajner i 17 Nëntorit, ekipi përfaqësues, por ka kohë që nuk angazhohet më. Preferon qëndrimin në studion me ngjyrë gri që ka, por nuk dëshiron të luajë në internet, lexon dhe ndjek televizor, në veçanti filmat shqiptarë dhe aktorin Albert Verria. Në arkivin e tij ka mjaft libra e artikuj të botuar. Thotë se ka luajtur një sport që ka lidhje të gjeometrisë me matematikën dhe shumë të preferuar nga strategë, shkencëtarë, filozofë e mbretër, si Napoleoni, Ainshtajni etj. Ndonëse në të shkuarën ka bërë një jetë të tensionuar, cigare në pafundësi (e ka lënë prej kohësh), me zgjime në mesnatë, gara me orë e ditë të tëra, nuk ndihet i lodhur, madje tregon me pasion historinë e tij. Edhe pse veteriner, nuk ka mbajtur asnjëherë kafshë, “pasi duhen kushte dhe në apartamente nuk ua plotëson dot”, shpjegon Pustina. Nëse do t’u rikthehemi atyre ditëve kur një djalë i vogël me fytyrë pak të hequr zbriste çdo ditë duke çaluar, rrugës “Hoxha Tahsin” për te Bulevardi i madh me këmbën e vrarë lidhur me fasha, me këpucën që e vriste, por që nuk mund të rrinte pa ndjekur ndeshjet, me sytë bojë qielli të ngulitur nga një tabelë te tjetra, kohës, as “Arkitekt Sinani”, apo “Qemal Stafa”, nuk e kanë ditur se në gjirin e tyre është rritur një djalë me emrin “Ylvi”, që po ta përkthesh do të thotë “I Madhnueshëm”.

pustina4

Nga një titull te tjetri

Nga kampionati i parë, ai i vitit 1951, kur ishte 16 vjeç, deri tek i fundit, ai i vitit 2004, tashmë 70-vjeçar historia e mjeshtrit është e rrallë:
1951 – Është kampionati kur debuton Ylvi Pustina, vetëm 16 vjeç dhe takimi historik: Omari-Pustina 0-1.
1952 – Në shtypin e atyre ditëve shkruhej: “Pustina tregoi inteligjencë dhe sy të mprehtë, ai qysh sot është shpresa më e mirë e shahut tonë”. Me nga dy humbje dhe pa barazuar asnjë lojë Hoxha dhe Pustina e mbyllin kampionatin me pikë të barabarta, duke u shpallur të dy kampionë.
1957 – Pasi ka arritur shtatë fitore radhazi, në turin e nëntë, Pustina barazon me Borovën, kurse fitorja me Siliqin i siguron atij titullin, dy ture para fundit, në një kampionat që e sundoi bindshëm, duke grumbulluar 10.5 nga 11 të mundshme.
1959 – Në fron sërish mjeshtri Pustina, i cili humbet në ndeshjen e parë me Veizajn, por që arrin shtatë fitore rresht. I pari që përgëzon kampionin është Kalluli, që barazon me të në turin e fundit.
1960 – Në turin e 11-të, Pustina ruan epërsinë duke kaluar me sukses edhe pengesën Omari, barazon në turin e fundit me Simonin duke siguruar titullin pa pësuar asnjë humbje.
1961 – Starti i Pustinës është i shkëlqyer: 5 pikë në pesë ndeshje. Por, turi i 14 përmbys të gjitha parashikimet: protagonist bëhet Turkeshi, i cili i habit të pranishmit duke mundur Durakun. Kaq i mjafton Pustinës që shfrytëzon më së miri momentin dhe, duke fituar në turin e 16-të me Koncin e duke barazuar në fund me Turkeshin, arrin përsëri suksesin.
1964 – Triumf i padiskutueshëm i Pustinës: 13 pikë në 14 ndeshje, vetëm një humbje aksidentale, me Lezhën. Diferencë dhe diktat kampioni.
1965 – Pustina fiton me Veizajn pas 19 lëvizjesh. Ndeshja e turit të dhjetë Adhami-Pustina fitohet nga Pustina, i cili e rrit diferencën në 1.5 pikë dhe, pas fitores me Pëllumbin në turin e 14-të, shpallet kampion pa humbje.
1969 – Pas pesë tureve të para, Pustina ka një pikë më shumë, kurse pas turit të 10-të, një barazim i papritur i Vilës me Çuçkën i çon pretendentët në match. Pustina fiton me vështirësi 3.5 me 2.5 dhe shpallet kampion.
1970 – Titulli i fundit për Pustinën, por siç di ai: kampion pa humbje. Pasi krijon që nga turi i dhjetë një avantazh prej dy pikësh, e kontrollon situatën qetësisht deri në fund të garës.

UVIL ZAJMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"