Yllit të skuadrës i skadon kontrata, Kukësi në “ajër” për rinovimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2021 | 10:12

Yllit të skuadrës i skadon kontrata, Kukësi në “ajër” për rinovimin

Agim Ibraimi është nga të paktët futbollistë që u afrua me bujë te Kukësi në verën e vitit të kaluar dhe deri më tani mund të thuhet se ka bërë diferencën në kampionatin shqiptar. Edhe pse nuk është një qendërsulmues i mirëfilltë, 32-vjeçari ka bërë bomberin te verilindorët, duke shënuar 11 gola deri më tani.

Agim Ibraimi

Ai është kryegolashënues në Superiore dhe forma e tij e mirë bëri që kombëtarja e Maqedonisë së Veriut ta rikthente së fundmi. Prej disa ditësh fantazisti është i angazhuar me skuadrën përfaqësuese, teksa është aktivizuar pak minuta në ndeshjen eliminatore kundër Rumanisë, të cilën Maqedonia e Veriut e humbi 3-2.

Ai u fut në fushë në minutën e 88-të, ndërsa në takimin e së dielës në Shkup kundër Lihtenshtejnit, qëndroi në stol gjatë gjithë ndeshjes. Ky është sezoni i parë që Ibraimi luan në kampionatin shqiptar, por në mbyllje të tij, kontrata me Kukësin përfundon. Vetë lojtari, i pyetur pak ditë për më parë për të ardhmen, zbuloi: “Kontrata më skadon në fund të sezonit. Të them të vërtetën ende s’kam menduar për të ardhmen. Do të shohim në fund të kampionatit”.

Kukesi-Apolonia

Tashmë mbetet për t’u parë se cila do të jetë lëvizja konkrete e klubit verilindor për një prej lojtarëve më të mirë që ka aktualisht në përbërje. Burime në klub bëjnë të ditur se Ibraimi është në planet e drejtuesve edhe për sezonin e ardhshëm, për më tepër që Kukësi do të luajë në stadiumin e rindërtuar, “Zeqir Ymeri”.

Objektivat e klubit do të jenë pa dyshim fitimi i të dy trofeve. Aktualisht, pjesa dërrmuese e ekipit është nën kontratë edhe për sezonin e ri dhe Kukësi e një ka një bazë, por zhgënjimi i këtij sezoni në rezultate i bën të pashmangshme skarcimet. Një prej titullarëve që pritet të largohet është Vesel Limaj, i cili nuk ka pranuar të rinovojë marrëveshjen.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"