Ylli i Teutës humb edhe Vllazninë, Shkëmbin e qetëson vetëm Çyrbja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2019 | 17:29

Ylli i Teutës humb edhe Vllazninë, Shkëmbin e qetëson vetëm Çyrbja

Teutës i janë bërë makth mungesat që në start. Ashtu si në tri javët e para (përballë Bylisit, Tiranës dhe Luftëtarit), Blendi Shkëmbi duhet të bëjë llogaritë me deficite në organikë edhe kundër Vllaznisë.

sherif kallaku

Sherif Kallaku e humb edhe këtë duel. Dëmtimi që ka pësuar ndaj Tiranës ka rezultuar më i rëndë nga sa mendohej. Kavilja është e fryrë dhe normalisht do kohën e vet që të rikuperohet tërësisht. Ky lloj shqetësimi do 10 deri në 15 ditë dhe më pas mesfushori të kthehet në fushë. Stafi mjekësor ka vendosur të mos e rrezikojë në javën e 4-t, ndaj mund të thuhet që tani se ai nuk do të luajë kundër shkodranëve. E megjithatë, lajmet e mira nuk mungojnë nga infermieria.

Konfirmohet se Arbër Çyrbja është gati për ndeshjen e ardhshme. Ai mungon në formacionin e skuadrës prej tri javësh. Mesfushori i njohur durrsak kishte pësuar një dëmtim në kofshë, që e ka mbajtur larg fushës për ditë me radhë. Anësori është rikuperuar dhe trajneri mund ta llogarisë në 11-she. Ndaj Luftëtarit nuk luajti, pasi rikuperimi nuk ishte në masën 100%, por duke përfituar nga ndërprerja e kampionatit, gjendja është përmirësuar ndjeshëm. Rikthimi i tij është zyrtar dhe mund të përkthehet me një forcë të madhe në ofensivë për durrsakët.

teuta

NDRYSHIMET – Pas tri javësh dhe 7 pikësh të grumbulluara, Teuta është bashkëkryesuese me Kukësin e Tiranën. Durrsakët bënë shumë ndryshime në verë, sidomos pas Europës. U largua pjesa më e madhe e titullarëve të sezonit të shkuar dhe u afruan futbollistë me peshë nga tregu vendës dhe ai huaj. Bledi Shkëmbi ka ndërtuar një grup solid, me të cilin pretendojnë që të mos e diskutojnë zonën “Euro” dhe pse jo, të guxojnë… titullin.

EKSPERIENCA – Me ambiciet në rritje, Teuta ka menduar që të shtojë veç cilësisë edhe eksperiencën në ekip. Me Stivi Frashërin në portë dhe Rustem Hoxhën e Renato Arapin në mbrojtje, është blinduar njëherë e mirë prapavija. Në mesfushë janë shtuar muskujt me Albano Aleksin, pa llogaritur këtu zgjuarsinë e Kallakut apo ndonjë tjetri.

Prezenca e dy lojtarëve si Darko Nikaç dhe Abdul Kahlid pritet që të sjellë edhe shpërthimin e sulmit. Vetëm se mbetet për t’u parë nëse stafi teknik do të zgjedhë që t’i hedhë në fushë të dy. Deri më tani, Nikaç ka luajtur si titullar dhe e ka kaluar me sukses “klasën”, pasi ka shënuar, ndërsa ganezi i ardhur nga Prishtina pret debutimin. Deri në këto momente Teuta ka shënuar 4 gola, por në klub mendojnë se me pasurimin e fazës së sulmit do të bëhen të frikshëm.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"