Ylli i ri i Juves / 500 muskuj barku në ditë dhe filetot, ja kush është mjeku i munguar, Dushan Vlahoviç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2022 | 18:26

Ylli i ri i Juves / 500 muskuj barku në ditë dhe filetot, ja kush është mjeku i munguar, Dushan Vlahoviç

Në fund, shtëpinë e tij në Firence ai duket se do ta braktisë realisht. Ndonëse dukej e vështirë që Dushan Vlahoviç të largohej nga Toskana përpara verës që vjen, në përfundim dëshira për të shkuar te Juventusi ishte më e madhe se çdo gjë tjetër.

pjimage (1)

Sulmuesi 21-vjeçar nuk është një tip që ekspozohet shumë mbi jetën private, ndonëse ato çfarë kanë mundur të grumbullojnë, i ka zbardhur dje “Gazzetta dello Sport”.

“ZONJA” SI DHURATË – Dushan Vlahoviç ka ditur ta fitojë shpejt vitrinën e rëndësishme europiane dhe pa dyshim që Juventusi është dhurata e duhur për ditëlindjen e tij të 22-të.

Serbi, i cili do të “ndërrojë prefiks” më 28 janar, sivjet ka shpërthyer përfundimisht duke shënuar 20 gola në 24 ndeshje sezonale, ndërsa vitin e kaluar e mbylli me 21 gola në 40 takime.

Edhe pse ndarja me tifozërinë nuk do të jetë aspak e bukur, gjithsesi fakt është se Dushan Vlahoviç do të jetë pa dyshim një nga bomberat më të rëndësishëm që kanë kaluar në historinë e Fiorentinës, duke numëruar në total 49 ndeshje në 108 takime.

FILETO “FIORENTINA” – Vlahoviç u afrohet shumë 200 centimetrave gjatësi (190 saktësisht), prandaj është normale që një gjigant si ai të ketë mishin si bazën e ushqimit të preferuar.

Biftekët janë pjata e tij e preferuar, madje në Firence “Fiorentina” nuk ishte vetëm emri i skuadrës që përfaqësonte, por edhe i filetos, të cilën ai nuk ngurronte që ta konsumonte shpesh në restorantet më në zë të qytetit, të paktën një herë në dy net.

PALESTËR E MONOPATINË – Për sa i përket përgatitjes fizike, Dushani e ka prioritet kurimin e fizikut të tij. Nëse shtimi i masës muskulore në pjesën e bustit dhe shpatullave janë të nevojshme për të qenë sa më i vështirë për t’u markuar nga rivalët, në të njëjtën kohë flitet se bën të paktën 500-600 muskuj barku në ditë, në stërvitjen e këmbëve duhet të privilegjojë shpejtësia.

Vlahoviç është një futbollist të cilit i pëlqen që të jetë gjithë kohën në lëvizje. Madje, edhe në qendrën stërvitore vjollcë ai është parë më së shpeshti me biçikletë e monopatinë sesa me makinë që të shkojë, një tjetër veçanti kjo e bomberit serb.

HOBIT – Në kohën e lirë, miqtë e tij theksojnë se serialet televizive dhe lojërat në kompjuter janë hobi i tij, pak a shumë si të gjithë bashkëmoshatarët e tij.

Në të njëjtën kohë, Vlahoviç duket se ka një intuitë fantastike edhe në përzgjedhjen e formacioneve fituese të lojës shumë të njohur në Itali, “Fantacalcio”, aq sa vetë ballkanasi disa kohë më parë ka zbuluar:

“Më shkruajnë më shumë lojtarët e ‘Fanta’-s në rrjetet sociale sesa femrat”. Madje, duke mbetur te argumenti i fundit, edhe pse për të nuk ka asnjë foto të dokumentuar, zërat e “Gossip”-it flasin për një lidhje sekrete me influenceren Mariasole Polio.

IDHUJT – Gjithsesi, nëse për jetën private Dushan nuk është zhbalancuar asnjëherë, për sa i përket idhujve të tij, njihet botërisht se ai është Zlatan Ibrahimoviç. Madje, duke parë fizikun, shpesh impostimin në fushë, por edhe teknikën që kërkon të rafinojë sa më shumë, pavarësisht 190 centimetrave, kjo është për t’i ngjarë sa më shumë suedezit të Milanit.

Në vegjëli, mahnitej nga malazezi Stevan Jovetiç, ndërsa idhulli absolut është ish-fenomeni i NBA-së, Majkëll Xhordan. Ndërsa personit që do t’i ndihet borxhi është Çezare Prandeli: “Askush në jetë nuk më ka besuar dhe ka bërë atë që Prandeli ka bërë për mua”.

SPORTET E TJERA – Adhuron të ndjekë Moto GP-në, ndërsa Formula 1 i duket e mërzitshme. Dashuron të praktikojë tenisin, por akoma më shumë basketbollin, i cili e ka ndihmuar që të rrisë ndjeshëm edhe gjatësinë e tij: “Basketin nisa ta praktikoja në Beograd që në moshën 5- vjeçare.

Në fillim kisha një gjatësi normale për moshën, ndërsa kur shkova 12 vjeç, shtova 15 centimetra brenda një viti. Të gjithë në shtëpi mendonin se do të vazhdoja basketbollin, por kur i thashë familjes se do të ndërroja dhe të praktikoja më shumë futbollin, me të cilin isha gjithashtu i lidhur, familja ime më mbështeti totalisht”.

MJEK I MUNGUAR – Dushan Vlahoviç, përpara se të linte Beogradin për Italinë, kishte nisur shkollën për mjekësi, si plan B nëse nuk do t’ia dilte me futbollin. Gjithsesi, pasi nisi të njihte paratë e vërteta te Fiorentina dhe akoma më shumë sot, ai vendosi që t’i braktiste studimet, ndonëse me mjekët është shumë i lidhur.

Madje, sa herë që është dëmtuar vetë, por ka parë edhe shokë që të vuajnë dëmtime të ndryshme, Vlahoviç ka dashur që të mësojë dhe kuptojë diagnozat, gradën e dëmtimeve dhe mënyrën se si kurohen më mirë ato.

Fundja, edhe pse i braktisi studimet, brenda tij ideja për të qenë të paktën mjeku i fizikut të tij është diçka shumë e rëndësishme.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"