Ylli Çekiçi do barazimin në sfidën Apolonia-Tomori

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2012 | 12:38

Ylli Çekiçi do barazimin në sfidën Apolonia-Tomori

Në Pogradec ndihen mirë që Tomori do të shkojë i motivuar në Fier pas ndryshimeve të fundit në tabelën e klasifikimit, si rrjedhojë e heqjes së pikëve të Shkumbinit. Për “Panorama Sport”, trajneri Ylli Çekiçi deklaroi: “Ne normalisht kemi punën tonë, nuk varemi nga dënimi i Shkumbinit. Gjithsesi, na kënaq fakti që takimi Apolonia- Tomori do të jetë i hapur. Megjithatë, do të shikojmë ndeshjen tonë. Kalendarin nuk e kemi në favor, pasi javën e fundit luajmë me Skënderbeun. Na duhet fitorja për të mbijetuar, ndërsa Skënderbeu për të dalë kampion. Fati duhet të jetë nga ne, pasi është një sezon tepër i vështirë për t’u ringjitur. Besoj se ndeshja i ka të tria rezultatet dhe ne duam ta mbyllim me nder, sepse jemi përpara publikut tonë. Është një ndeshje e fortë dhe e paparashikueshme, ku mund të ketë tension nga futbollistët, si nga ne dhe nga ata. Dëshiroj që të ruhet qetësia. Ndërkohë, nga ana tjetër, Tomori kërkon që t’i shpëtojë ndeshjes shtesë dhe kësisoj barazimi i mundshëm në Fier na favorizon. Nëse jemi me pikë të barabarta me Apoloninë, atëherë qëndrojmë ne. Dëshirojmë që të na ndihmojë edhe fati”. Mirëpo edhe pse të gjithë janë të përfshirë nga ankthi i kësaj sfide në Pogradec, trajneri liqenor beson se lojtarët do ta tregojnë veten. “Do të hyjmë në fushë për fitore, pasi nuk na duhet rezultat tjetër. Do të dimë si ta përballojmë Skënderbeun, sepse vetëm kështu u kemi shërbyer ngjyrave të ekipit tonë. I gjithë formacioni në fushë do të japë maksimumin dhe kam besim absolut për një rezultat pozitiv. E rëndësishme është që pas kësaj sfide ne të kemi shpëtuar”, – përfundoi trajneri i Pogradecit.
Pëllumb Starova

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"