Yll Hoxha i rikthehet sherrit: Nuk e di ç’pati Cungu me mua

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2016 | 20:56

Yll Hoxha i rikthehet sherrit: Nuk e di ç’pati Cungu me mua

Ende pa mbaruar faza e dytë e kampionatit, mesfushori Yll Hoxha është larguar nga skuadra e Vllaznisë pas një mosmarrëveshjeje  me trajnerin Armando Cungu. Madje është folur se mes tyre ka pasur edhe një përplasje fizike në një nga seancat stërvitore, por asnjëra nga palët nuk ka dashur të flasë në lidhje me këtë çështje, por as nuk kanë mohuar që kanë pasur probleme.

Pas largimit nga Vllaznia, Hoxha u rikthye në kampionatin kosovar duke firmosur një kontratë me Ferronikelin pasi zgjidhi me marrëveshje atë me klubin shkodran.

Yll Hoxha studio

“Kam pasur disa mosmarrëveshje me drejtuesit e klubit të Vllaznisë dhe, për këtë arsye, e kam zgjidhur kontratën me kërkesën time. Por, nuk kam pasur një përplasje fizike. Thjesht një mosmarrëveshje me qëllim nga ana e trajnerit, por nuk dua të flas shumë për këtë çështje, pasi është e mbyllur për mua. Jam i përqendruar te Ferronikeli dhe kjo ka rëndësi”, ka thënë Hoxha në emisionin “Arena” në “Tribuna Channel”.

Arsyet

I pyetur përse kanë nisur përplasjet mes tij dhe trajnerit Cungu, mesfushori e ka pasur pak të vështirë që të komentojë, megjithatë ka zbuluar diçka.

“Mosmarrëveshjet mes nesh kanë nisur më herët se të vinte mosaktivizimi im, por unë nuk kam dashur të flas në lidhje me këtë çështje. Në momentin që kishte disa padrejtësi, unë dola vetë në një deklaratë, pasi nuk doja që të kishte keqkuptime. Por, mund të them se kisha mosmarrëveshje nga ana e trajnerit dhe unë ende nuk e di se cilat janë ato”, ka mbyllur Hoxha deklaratën e tij, duke iu rikthyer edhe njëherë kësaj çështjeje të komentuar jo pak te Vllaznia. Kjo, pasi lojtari u afrua me bujë gjatë merkatos verore, por nuk arriti të gjente shumë hapësira në formacionin e kuqebluve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"