Xhyra: Turp që Vllaznia u bë palë për të na rrëzuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2013 | 13:26

Xhyra: Turp që Vllaznia u bë palë për të na rrëzuar

xhyraMegjithëse tashmë është një fakt i kryer që skuadra e Shkumbinit ka rënë një kategori më poshtë, futbollistët bardhekaltër e kanë të vështirë ta besojnë atë që ka ndodhur. Peqinasit ishin mësuar me rrezikun e rënies nga kategoria edhe në sezonet e mëparshme, mirëpo kishin arritur që të shmangnin më të keqen, madje duke luajtur edhe në ndeshje “play off” dy sezone më parë ndaj Mamurrasit. Përtej zhgënjimit të rënies, në kampin peqinas shqetësohen më shumë për mënyrën se u vendos “verdikti” që Shkumbini doli jashtë objektivave ende pa mbaruar kampionati. Në këndvështrimin e mbrojtësit Xhyra, gjithçka ka ndodhur pasi Shkumbini nuk ishte pjesë e aleancave të ulëta që kurdisën skuadrat e tjera në kurriz të peqinasve. “Asaj që i druheshim më shumë prej kohësh në fakt ndodhi dhe gjithçka u bë hapur dhe në mënyrën më të turpshme. Ekipet rivale me ne gjetën mënyra të ulëta për të joshur skuadrat e tjera, të cilat ranë dakord me këto plane të pista në dëm të Shkumbinit. Më habit fakti që skuadra e Vllaznisë, e cila ka shumë tradita në futbollin tonë, arrin të shkojë kaq poshtë duke u bërë pjesë e asaj aleance të turpshme, duke mos e respektuar në mënyrën e duhur kampionatin dhe skuadrat e tjera. Ne u dëmtuam dhe dolëm nga Superiorja, pikërisht pasi nuk u bëmë pjesë e aleancave të turpshme, por luajtëm ndershëm, çka solli rënien nga kategoria”, – pohoi Xhyra. Shkumbini ra një kategori më poshtë pas 19 vitesh në elitën e futbollit shqiptar dhe natyrshëm që një lajm i tillë nuk është pritur aspak mirë te kjo skuadër.
Fatmir Ahmeti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"