Xhyra ka ende shpresa, beson te fitorja ndaj Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2013 | 13:04

Xhyra ka ende shpresa, beson te fitorja ndaj Laçit

xhyraShkumbini po vijon përgatitjet për Laçit, takim të cilin do ta zhvillojë në transfertë. Për futbollistët bardhekaltër, kjo sfidë ka shumë rëndësi, pasi një fitore e mundshme i mban ata në garë për mbijetesën. Mbrojtësi Klement Xhyra, duke e vlerësuar skuadrën kurbinase si një ekip të fortë, premton se ekipi i Shkumbinit do të udhëtojë drejt Laçit për të zhvilluar një futboll dinjitoz dhe sigurisht për të kërkuar fitoren. “Po vijojmë rregullisht stërvitjen dhe sigurisht që morali i skuadrës është i lartë pas rezultateve pozitive që kemi arritur së fundmi. Ndoshta rivalëve tanë mund t’u duket se skuadra jonë i ka fituar pa shumë djersë këto pikë. Mirëpo, unë do t’u thosha atyre futbollistëve që aludojnë më kot, që ne kemi sakrifikuar shumë në fushën e lojës. Madje, disa javë më parë unë e kam lënë fushën e lojës i dëmtuar në kokë. Ne kemi humbur në fushën tonë dhe sërish nuk jemi ankuar, kurse kundërshtarët tanë direkt për mbijetesë fillojnë e bëjnë llogaritë se në cilën fushë do të fitojë Shkumbini”, – tha fillimisht mbrojtësi, i cili ka mbetur i indinjuar nga pohimet e futbollistëve të Besës. Ndërsa duke analizuar sfidën e radhës ndaj kurbinasve, ai shprehet optimist në lidhje me marrjen e një rezultati pozitiv. “Siç e thashë, për ne është një sfidë e rëndësishme ose më mirë një tjetër finale, e cila duhet kaluar me sukses. Ne premtojmë që do të japim më të mirën e mundshme të forcave tona, ndërsa mbijetesën e skuadrave le ta vendosë fusha e lojës, për atë skuadër që do të qëndrojë dhe ajo që do të bjerë një kategori më poshtë”, – përfundoi Xhyra.
Fatmir Ahmeti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"