Xhymerti e Lajthia i hapin punë trajnerit Canaj: Kemi tri javë që vuajmë përqendrimin, duhet riparuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2022 | 22:17

Xhymerti e Lajthia i hapin punë trajnerit Canaj: Kemi tri javë që vuajmë përqendrimin, duhet riparuar

Agim Canaj “qan” gabimet. Edhe pse Lushnja mori pikë në stadiumin “Besëlidhja”, trajneri nuk është aq i qetë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai evidenton problematikën në prapavijë dhe shpreson që lojtarët të korrigjohen një orë e më parë.

LUSHNJA AGIM CANAJ

“Në Lezhë ishte një moment ku ne kemi luajtur një nga ndeshjet më të mira jashtë fushës sonë. Por ajo që më shqetëson, është humbja e shumë rasteve dhe pësimi i golave në momentet më të mira tonat. Kjo vjen për mungesë përqendrimi dhe këtë e kemi vuajtur në 2-3 ndeshje. Duhet ta riparojmë gradualisht, sepse nuk riparojmë dot në çdo moment. Kjo do një vëmendje shumë të madhe nga futbollistët. Ndeshjet vijnë duke u vështirësuar dhe pikët ikin… Kishim mundësi që ta vrisnim ndeshjen shumë më përpara. Kaluam në avantazh, por kishim mundësi të shënonim edhe golin e dytë. Ajo që më shqetëson gjithmonë, është që krijojmë shumë dhe nuk finalizojmë. Ky është problemi ynë i madh. Bëmë vërtet dy gola, por me lojën e zhvilluar duhet të kishim shënuar më shumë”, tha fillimisht tekniku i verdhejeshilëve.

BYLIS – Ai u ndal edhe te supersfida me Bylisin. Lushnja pret kryesuesit e kampionatit, që ka dy herë më shumë pikë. “Kemi një ndeshje shumë të vështirë me kryesuesit. Bylisin e njoh mirë, sepse e kam drejtuar në tri periudha të ndryshme, madje edhe në Superiore. Ka një drejtim ambicioz. Në Kategorinë e Parë ka kryesuar gjithmonë. Një ekip që ka një presidencë serioze dhe me të drejtë pretendon elitën. Për mendimin tim, është një ngjitje e garantuar e tyre në elitë, gati 100%. Kemi një ndeshje të vështirë. Do të mundohemi të japim maksimumin për të marrë maksimumin. Pritet një stadium i mbushur dhe presioni shtohet, por kjo është pozitive. Shpresoj shumë që të na mbështesë. Sidomos në këtë ndeshje kemi shumë nevojë për tifozët. Në momente të caktuara mbështetja e publikut është shumë e domosdoshme”, tha vlonjati i stolit të Lushnjës.

MUNGESAT – Trajneri foli edhe për pjesën e të dëmtuarve. Lajthia e Xhymerti janë mungesat e mëdha për këtë fundjavë, ndërsa Canka e Mone janë ende në dyshim. “Lajthia ka një dëmtim të vjetër, që iu shfaq këtë javë. Nga ajo që unë kam parë, ky dëmtim mund të rikuperohet edhe brenda javës, por mund të zgjasë edhe pak më tepër. Kështu që, do ta shohim me kujdes këtë rast derisa mjeku të dalë në një konkluzion përfundimtar. Xhymerti ka një goditje dhe do të rrijë më gjatë. Nuk e di se sa do të zgjasë, sepse situata e tij është me ligamentin. Mone vjen nga një COVID. E ka kaluar shumë rëndë dhe ka pasur dy javë e gjysmë pushim. Rikuperimi mund ta mbajë edhe pak kohë larg fushës. Canka po hyn gradualisht, por do ta shikojmë në vazhdimësi. Është një vendim i vështirë”, përfundoi Agim Canaj.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"