“Xholi” Shtubina: Për Vllazninë luaj edhe në portë, i marrim pikë edhe Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2019 | 21:09

“Xholi” Shtubina: Për Vllazninë luaj edhe në portë, i marrim pikë edhe Kukësit

Ndriçim Shtubinës i ka mbetur vetëm një rol pa provuar në fushë, ai i portierit. Pa frikë mund ta quajmë “xholin” e Vllaznisë.

Ndricim-Shtubina-Vllaznia-470x276

Janë luajtur 6 ndeshje dhe Mirsad Jonuz i ka besuar 31-vjeçarit 3 pozicione të ndryshme. Ai njihet si mesfushor krahu, e megjithatë e kemi parë që të bëjë mbrojtësin e djathtë, por edhe sulmuesin. Në majë të ofensivës ishte kundër Skënderbeut dhe duhet thënë që ia doli më së miri, aq sa arriti të fitonte një nga penalltitë.

Shkodranin nuk e shqetësojnë këto lëvizje në fushë, pasi për të në fund të fundit kanë rëndësi pikët që merr ekipi. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, numri 10 i kuqebluve e quan fitoren 4-0 si fundin e krizës së golave. Nuk kishte si të mos fliste edhe për përballjen me Kukësin, prej së cilës shfaqet besimplotë për arritjen e një rezultati pozitiv.

Me goleadën ndaj Skënderbeut, mund të themi se e ka kaluar Vllaznia krizën e golit?

Për ne është e rëndësishme që arritëm të marrim tri pikët dhe skuadra shkoi te goli. Më shumë se rezultati me shumë gola, më ka kënaqur loja që zhvilluam. Mendoj se ishte një fitore shumë e rëndësishme për ne në këto momente. Për më tepër kur shënon edhe katër gola, merr tjetër vlerë.

I përmbush pritshmëritë tuaja nisja e këtij edicioni?

Mendoj se po. E shohim mirë që të gjitha ekipet janë ngjeshur me njëra-tjetrën pas këtyre 6 javëve. Asnjë prej tyre, qofshin edhe pretendentët, nuk kanë treguar diçka më shumë se të tjerat. Pra, ajo që shohim është se diferencat nuk janë të mëdha. Vazhdimësia ndoshta do të bëjë që të ndryshojë diçka, por deri tani nuk ka asnjë emër që të thuhet se është dominues. Ndaj e theksoj, jemi në pozita të mira.

Ndryshe nga sezonet e tjera, ekipi ka shfaqur shumë grintë në start. Çfarë ka ndryshuar?

Ne po punojmë shumë. Ka seriozitet dhe për më tepër ka dëshirë nga të gjithë për të bërë më të mirën. Në skuadër ka harmoni. Dhe kur rezultatet janë pozitive, kjo e fundit shtohet edhe më shumë.

Të mërkurën luani kundër Burrelit në Kupë dhe në fundjavë ndaj Kukësit. Ku është përqendruar vëmendja e Vllaznisë?

Pikësëpari te Burreli. Por, mendoj se nisur nga rezultati i parë, kualifikimin e kemi shumë pranë. Megjithatë, nuk duhet ta flemë mendjen. Më pas, duhet të mendojmë vetëm për Kukësin. Na pret një përballje shumë e fortë, por asgjë nuk është e pamundur për t’u kaluar me sukses. Këtë sezon kemi treguar se dimë të luajmë mirë futboll edhe jashtë fushës sonë. Kemi marrë dy rezultate, që mendoj se janë pozitive si barazimi me Bylisin dhe Teutën. Dhe këto janë dy skuadrat që udhëheqin kampionatin aktualisht, ndaj mendoj se edhe përballë Kukësit nuk mund ta përjashtoj mundësinë për të marrë një tjetër rezultat pozitiv.

Veç mesfushës, keni luajtur edhe në mbrojtje dhe sulm. Tani jemi kuriozë të dimë, kur do t’ju shohim në portë?

(Qesh) Këtë e di trajneri. Unë jam një lojtar që do të luajë ku të vendosë trajneri. Në takimin e fundit ai më besoi majën e sulmit dhe aty u mundova që të bëj më të mirën. Mendoj se jo unë, por çdo njëri prej lojtarëve do të bëjë maksimumin kudo që do t’i kërkohet. Pastaj, se ku jep më shumë, kjo është gjë tjetër. E rëndësishme është të japim gjithçka për gjithçka. Këtë po bëjmë sot të gjithë si grup.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"