Xhokoviç e pranon: Kam shkelur masën e izolimit gjatë infektimit me Koronavirus

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2022 | 9:15

Xhokoviç e pranon: Kam shkelur masën e izolimit gjatë infektimit me Koronavirus

Tenisti serb, Novak Xhokoviç e ka pranuar se ka gabuar kur ka vendosur të intervistohet nga një gazetar francez, ndonëse ka qenë i infektuar me Koronavirus.

XHOKOVIC 1

Ai e ka pranuar po ashtu se një anëtar i stafit të tij ka bërë deklarata të rreme para Qeverisë australiane rreth historisë së tij të udhëtimit.

Në deklaratë është thënë se ai nuk ka udhëtuar në 14 ditët e fundit askund, para se të mbërrinte në Australi, mirëpo ai ka qenë edhe në Serbi, para se të nisej nga Spanja.

Megjithatë, Xhokoviç ka insistuar se raportimet tjera rreth aktiviteteve të tij, pas infektimit me koronavirus, janë “dezinformata” dhe se “lëndojnë shumë” familjen e tij.

Xhokoviç i ka bërë këto deklarata më 12 janar në Instagram, teksa ka adresuar situatën në të cilën gjendet, para se të mbrojë titullin e kampionit në turneun e tenisit “Australian Open”, ndonëse i pavaksinuar.

Tenisti 34-vjeçar ka hyrë në Australi javën e kaluar me një dokument që tregonte se ai është infektuar me Koronavirus më 16 dhjetor.

Një ditë më vonë, ai është parë pa maskë në një ngjarje të organizuar në Beograd për tenistët e rinj.

Në postimin e tij në Instagram, Xhokoviç nuk ka përmendur ceremoninë në Beograd, mirëpo ka thënë se e ka kuptuar më 17 dhjetor se është i infektuar, pasi ka marrë pjesë në ceremoni.

Xhokoviç ka thënë se më 18 dhjetor ka anuluar të gjitha planet, mirëpo ka vendosur të japë intervistë për gazetën franceze, L’Equipe dhe të bëjë disa fotografi.

“E kam parë si obligim që të vazhdoj me intervistën, sepse nuk kam dashur t’i dështoj planet e gazetarit, mirëpo kam mbajtur distancën fizike dhe kam pasur maskë, edhe pse më janë bërë fotografi”.

Më 10 janar, një gjyqtar australian ka fuqizuar vizën e tenisit, ndonëse ajo i ishte refuzuar javën e kaluar, pasi tenisti i pavaaksinuar kundër koronavirusit është thënë se ka shkelur rregulloret e Australisë për luftim të pandemisë.

Ai ka siguruar një dokument mjekësor nga organizata për tenis në Australi, që i mundësonte shmangien e kufizimeve për të hyrë në këtë shtet, pasi ka deklaruar se është infektuar me koronavirus muajin e kaluar.

Ministri australian për Migrim, Aleks Hauke, ka paralajmëruar se është duke konsideruar mundësinë e ushtrimit të fuqisë ekzekutive për ta dëbuar Xhokoviç./REL

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"