Xho Hart i shtohet listës së “viktimave” të Pep Guardiolës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2016 | 16:51

Xho Hart i shtohet listës së “viktimave” të Pep Guardiolës

Pep Guardiola ka bërë të qartë që Xho Hart nuk bën pjesë në planet e tij dhe ulja në stol e portierit anglez lë shumë pak vend për interpretim. Ndërsa trajneri bëhet gati të afrojë Bravon nga Barcelona, Hart i bashkohet një liste yjesh të njohur të futbollit botëror të cilët kanë humbur vendin e tyre në skuadër në periudhën e drejtimit të teknikut katalanas, emra të cilët “Daily Mail” i ka mbledhur në një listë të veçantë.

ronaldinho-afirma-que-alegra-cuando-reencuentra-con-guardiola-1368555374235

Ronaldinjo

Një legjendë te Barcelona dhe një nga yjet më të ndritshëm të historisë së futbollit botëror, braziliani ishte një idhull në “Kamp Nou”. Guardiola ishte ai që i hapi rrugë largimit të futbollistit i cili kishte ndihmuar skuadrën të fitonte dy kampionate dhe Ligën e Kampioneve, duke vendosur shitjen e tij te Milani. Largimi i brazilianit i hapi rrugë shpërthimit të “tiki-taka”, një model loje i katalanasve i cili mahniti botën për disa vite me radhë.

foto_1448544319-9055782

Zlatan Ibrahimoviç

Sulmuesi nuk krijoi kurrë një marrëdhënie miqësore me trajnerin në vitin e tij të vetëm te katalanasit, të cilëve iu afrua me shumë bujë, eksperiencë që e mbylli duke u larguar me shpejtësi drejt Milanit. Etiketimi “burracak pa shtyllë kurrizore” që Ibra i bën trajnerit në autobiografinë e tij tregon më qartësisht se çfarë marrëdhënieje u krijua mes të dyve gjatë atij sezoni të vetëm të suedezit në Spanjë.

1400781964_extras_noticia_foton_7_0

Deko

Portugezi Deko ishte një nga yjet e mesfushës së Barcelonës kur ajo drejtohej nga Frank Rajkard. Por Guardiola i bëri të qartë menjëherë lojtarit që duhej të fillonte të mendonte për një klub të ri, pasi ai do t’u besonte më shumë futbollistëve të akademisë, duke krijuar hapësira për aktivizimin e rregullt të Iniesta e Buskets. Deko iku në Angli, duke iu bashkuar Skolarit te Çelsi në vitin 2008.

article-2588495-1C8B58A800000578-749_634x516

Samuel Eto’o

Sulmuesi kamerunas ishte një nga golashënuesit më të mirë në Spanjë në momentin që Guardiola mori drejtimin e ekipit. Ndonëse ai kishte kaluar një sezon me probleme fizike, Eto’o realizoi 16 gola në vetëm 18 ndeshje të luajtura para se trajneri të vinte në drejtim. Guardiola deshi ta shiste, por nuk gjeti një skuadër të gatshme të paguante kartonin e tij. Kamerunasi qëndroi dhe shënoi 36 gola në 52 ndeshje, duke ndihmuar Barcelonën të fitonte kampionatin, Kupën dhe Ligën e Kampioneve. Por as kjo nuk mjaftoi. Në verën e radhës, ai u nis drejt Milanos për të veshur fanellën e Interit, në shkëmbimin e famshëm me Zlatan Ibrahimoviç.

Barcelona+v+Valencia+Copa+del+Rey+3yqcOqnzTz0x

Xhanluka Zambrota

Mbrojtësi italian ishte titullar i paprekshëm në dy sezonet e tij të para me klubin, por Guardiola i shihte gjërat me një sy tjetër. Që në momentin kur ai mbërriti në klub, një ndër veprimet e para ishte largimi i tij, duke e shitur te Milani.

Guardiola-Yaya-Toure-Barcelona

Jaja Ture

Mesfushori nga Bregu i Fildishtë e ka përjetuar edhe një herë më parë injorimin nga Guardiola, në periudhën kur luante te Barcelona. Ai kishte shkëlqyer me katalanasit sa herë kishte zbritur në fushën e lojës, por në vitin 2010, trajner vendosi ta shiste për 24 milion paund te Mançester Siti, duke i bërë të qartë se në formacionin e Barcelonës nuk kishte më vend për të.

Schweinsteiger-Guardiola-Bayern2

Bastjan Shvajnshtajger

Bastjan Shvajnshtajger u detyrua të largohej nga Bajern Mynih pasi luajti ndeshjen e ti të 500-të me klubin, sepse Pep Guardiola mendonte se nuk ishte në lartësinë e duhur për të luajtur me bavarezët. Edhe pse futbollisti kishte qenë për 17 vite radhazi pjesë e Bajernit, Guardiola la të kuptohej se ai nuk do të kishte hapësira në radhët e ekipit gjerman, duke i hapur rrugë transferimit të tij te Mançester Junajtid. Për mesfushorin gjerman, situata nuk ka ndryshuar as në Angli, pasi edhe Murinjo i sheh gjërat në të njëjtën mënyrë si Guardiola.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"