Xhimshiti luan me “dy porta”, menaxheri: S’ka vendosur!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2014 | 9:20

Xhimshiti luan me “dy porta”, menaxheri: S’ka vendosur!

Berat zviceraneNis me “driblime” dhe ecejake aventura e Berat Xhimshitit te Shqipëria. Dy ditë pasi “Panorama Sport” publikoi lajmin se Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur procedurat për pajisjen me nënshtetësi shqiptare dhe më pas me pasaportë mbrojtësin kosovar të Zyrihut, vjen reagimi i menaxherit të tij. Sipas Mishel Ursheler, Xhimshiti nuk ka vendosur ende përfundimisht nëse do të luajë për Kombëtaren e Shqipërisë apo atë të Zvicrës, duke testuar kështu në njëfarë mënyre nga njëra anë federatën tonë dhe nga ana tjetër, dhe më së shumti, homologët zviceranë. “Nuk është e vërtetë që lojtari do të luajë për Kombëtaren shqiptare. Ai nuk e ka vendosur ende një gjë të tillë. Fakt është se Federata Shqiptare e Futbollit e ka kontaktuar, por Berati nuk ka vendosur nëse do të luajë për Zvicrën apo për Shqipërinë”, ka thënë në një prononcim për mediat helvete (20 Minuten Online), menaxheri i ti, Mishel Ursheler. Deklarata e menaxherit të Xhimshitit më shumë sesa për Shqipërinë, tingëllon si një thirrje ndaj federatës helvete. Fakt është se trajneri i Kombëtares së Zvicrës, Vladimir Petkoviç nuk e ka në listë emrin e Xhimshitit, kjo nisur edhe nga konkurrenca e madhe që ekziston aktualisht te kjo skuadër. Në fakt, në rolin e mbrojtësit të majtë, aty ku aktivizohet Berat Xhimshiti, Petkoviç ka në dispozicion tre lojtarë: 23-vjeçarin e Grasshopersit, Mikael Lang, 21- vjeçarin e Udinezes në Itali, Silvan Vidmer, si dhe 22-vjeçarin e Volfsburgut në Gjermani, Rikardo Rodriguez, i cili ka luajtur më së shumti, së fundmi në këtë pozicion. Pikërisht për këtë arsye, afrimi ose jo i Xhimshitit te Zvicra mbetet një dilemë e madhe. Por, për të konfirmuar prapaskenat që po krijon momentalisht menaxheri i lojtarit shqiptar, mjafton të kujtojmë që Berat Xhimshiti e ka refuzuar edhe një herë tjetër Shqipërinë. Ai është kërkuar që para një viti nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, por Xhimshiti pat refuzuar, me shpresën se në të ardhmen e afërt do të luante për Zvicrën. Trajneri italian e pat parë lojtarin e Zyrihut gjatë një ndeshjeje të kupës dhe kërkoi menjëherë që ai të afrohej te Shqipëria, por përgjigjja e Xhimshitit ishte negative. Një vit më pas, kur gjasat janë më se reale që lojtari të mos grumbullohet nga përfaqësuesja helvete, menaxheri i tij i ka telefonuar vetë De Biazit, duke i bërë të qartë disponibilitetin e Xhimshitit për kuqezinjtë.

Ja farë shkruan “20 minuten”
Xhimshti nuk ka vendosur ende

Mbrojtësi i FCZ, Berat Xhimshiti është ftuar nga Federata Shqiptare të Futbollit. Por, një vendim nuk është marrë ende nga lojtari i U-21 të Zvicrës. “21-vjeçari Berat Xhimshiti, sipas raporteve të mediave shqiptare, ka vendosur kundër ekipit kombëtar zviceran dhe e ka mbyll të ardhmen me Kombëtaren A të Shqipërisë”, – shkruan portali online “4-4-2.com”. Duket sikur një tjetër shtetas zviceran, me kombësi të dyfishtë, nuk zgjedh kombëtaren amtare, por atë të prindërve të tij. Megjithatë, konsulenti i mbrojtësit të Zyrihut thotë të kundërtën. “Kjo nuk është absolutisht e vërtetë. E vërteta e vetme është se Federata Shqiptare e Futbollit ka pasur kontakte me Berat Xhimshitin, por asgjë nuk është vendosur,” – sqaron shkurt e qartë Michel Urscheler. Megjithatë, lajmi është se Federata Shqiptare e Futbollit kërkon ta ofrojë 21-vjeçarin në ekipin kombëtar të vet. Lojtari është frenuar tashmë në bisedime dhe ka kërkuar kontakte me këshilltarët e tij se si të veprojë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"