“Xhevahiri” i vogël që magjepsi Dinamon e gjigantëve, kush është Thoma Duro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2019 | 22:30

“Xhevahiri” i vogël që magjepsi Dinamon e gjigantëve, kush është Thoma Duro

UVIL ZAJMI

Ju kujtohet Thoma Duro, sulmuesi dinamik, dribluesi i shkathët i krahut të majtë të sulmit të Dinamos së famshme të viteve ‘60? Futbollist i zbuluar rastësisht, pastaj në formacion përkrah Jarecit, Lubonjës, Bushatit dhe finalet e paharruara të ‘61-shit për titullin kampion ndaj Partizanit.

thoma duro

Protagonist edhe në Kombëtare në sfidat e mëdha të kohës, me Panon dhe Halilin. Ndonëse shtatshkurtër, vetëm 166 cm, ai ishte i pandalshëm, një problem për mbrojtësit kundërshtarë deri tek ata kinezë, kur me “mashtrimet” e tij habiti Çu En Lain. Pastaj, dëmtimi që i ndërpreu karrierën… Po çfarë bën sot 82- vjeçari? Jeta e tij është vërtet një histori e jashtëzakonshme…

Nga Zeler te Mesi, bota e futbollistëve shtatshkurtër

Ndonëse në botë janë të shumtë e mjaft të njohur lojtarët shtatshkurtër, si gjermani Uve Zeler, anglezi N. Stajll etj., për të ardhur tek ata aktualë, Insinje (Nap) 163 cm, Verrati (PSG) 165 cm, J. Alba (Bar) 170 cm, Mesi (Bar) 170 cm etj., po në futbollin shqiptar? Futbollistë me parametra të tillë nuk kanë qenë të pakët, madje titullarë e protagonistë edhe me klube të njohura e deri në Kombëtare. Jo më të gjatë se 165 cm, sulmues kryesisht, me qendër të ulët graviteti, zotërues të një teknike të lartë, shumë të shpejtë, driblues…

skender halili thoma duro

Këto janë karakteristikat e arsenalit të tyre. Nga Bespalla, te Dimroçi, Mërhorët, N. Xhaçka, A. Janku, B. Ishka, S. Seferaj, H. Leskaj, Ç. Ndoja, M. Hima, L. Koçobashi, S. Braho, F. Rama, L. Gjondeda janë disa prej tyre. Dhe sigurisht personazhi ynë, Thoma Duro, lojtar i Dinamos, i padiskutueshëm për një dekadë. Ishte koha kur nuk mund të futeshe lehtësisht e të luaje në një formacion e në një skuadër plot emra, tituj, trofe e talente. Ndonëse jo më i gjatë se 166 cm, kush e ka parë, e kujton mirë allën e majtë, si lëvizte dhe rrëshqiste në sulm e sa problematik ishte për mbrojtjet.

Një kafe me Thoma Duron

Nëse kujton e flet për Dinamon e viteve ‘60, skuadrën epike të saj periudhe me kampionë, protagonistë e rivalë në elitën e futbollit kombëtar, krahas emrave legjendë, si Jareci, Lubonja, Halili, Bushati, Rreli, Vorfi, Qoshe, Alluni, Gjoci, Tallushi etj., në krah të tyre, madje protagonist, ka qenë edhe Thoma Duro. E kam parë nga afër, ndonëse isha i vogël kur stërvitej e luante me Dinamon te fusha-aneks pranë stadiumit “Dinamo”.

Sulmues i shpejtë, dredharak, driblues, por mbi të gjitha për shtatin e shkurtër që kishte, një detaj ky që tërhiqte vëmendjen. Me të dhëna të admirueshme teknike e fizike, një talent për kohën, ndonëse me një “të metë”, një shprehje që ka qarkulluar në mjediset sportive të kohës, por që e shoqëron edhe sot kur i thoshin se “pak gola ka shënuar”. “Një karrierë e gjatë, por pak gola kam realizuar. Nuk kam pasur fat në këtë drejtim, u kam shërbyer të tjerëve”, konfirmon vetë Duro për “Panorama Sport”.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"