Xherrard me dopietë, çon “djajtë” në ferr

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2014 | 13:10

Xherrard me dopietë, çon “djajtë” në ferr

ZheradShprehja e mosbesimit të Mojesit kur Junajtid- Liverpul nuk kishte përfunduar ende, por të kuqtë kryesonin 0-3, është pamja tashmë e zakonshme e një tjetër dite të errët të ish-kampionëve të Anglisë. Liverpuli triumfon 3-0, por për “djajtë” – që e mbyllin ndeshjen me 10 vetë për shkak të daljes së Vidiçit pas kartonit të dytë të verdhë (78’) – mund të kishte shkuar më keq, nëse Xherrard nuk do të kishte goditur shtyllën në penalltinë e 3-të të ekzekutuar nga kapiteni i “reds”-ave. Ky ishte momenti i kompensimit të një prej gabimeve të shumta të gjyqtarit Klatenburg, i cili nuk e vuri re simulimin e Starrixh. Do të kishte shkuar më keq edhe në rast se De Gea nuk do të kishte bërë pritjen e vitit ndaj një goli të sigurt të Suarezit. Në fund, në ekranin e “Old Trafford” shkruhet 2 herë emri i Xherrard (34’, 46’) për penalltitë e shndërruara në gol pas një prekjeje të topit me dorë nga Rafael dhe pengimit të Alenit nga Xhons. Trisin e firmos Suarez, i vëmendshëm teksa përfiton nga një goditje e dobët e Starrixh.
Dominim – Nuk pati kurrë ndeshje. Liverpuli dominoi nga sekonda e parë deri tek e fundit. Superioriteti ishte i sikletshëm për vendësit, ndërsa rivalët treguan cilësi më të lartë teknike, kondicion fizik dhe një plan loje të një tjetër niveli krahasuar me futbollin e zymtë të Mojesit. 14 pikët diferencë në klasifikim janë të gjitha të justifikuara dhe suksesi atje ku ishte tabu, në “Teatrin e Ëndrrave”, përligj ëndrrën e vjetër për lavdi të Liverpulit: Çelsin, Sitin dhe skuadrën nga Marsejsajdi i ndajnë vetëm diferencat e rezultatit të një ndeshjeje. 76 golat në total, Suarez që thellon diferencën me ndjekësit për “Këpucën e Artë” me 25 golat e tij dhe fitorja e 5-të radhazi thonë shumë.
Revolucion – Ndërsa Junajtid është një skuadër që duhet ribërë nga e para. Humbja e 12-të sezonale në 43 ndeshje në total ua ngarkon përgjegjësinë shpatullave tashmë të dobëta të Mojesit. “Ringjallja” e Felainit doli një dështim, Van Persi po vuan, ndërkohë që në vorbullën e kaosit të përgjithshëm është përfshirë edhe i riu Januzaj. I vetmi që shpëton është Runi: lufton deri në sekondën e fundit, gatuan asist të rëndësishëm për Van Persin dhe kërkon golin. Krenaria e tij dhe mbështetja e tifozëve, që edhe pas humbjes poshtëruese mbështetën ekipin, do të jenë dy kartat e fundit që i kanë mbetur në dispozicion skocezit për të përmbysur Olimpiakosin të mërkurën.

Xherrard: U tregova pak arrogant
Për herë të 3-të në historinë e Premier Ligës u akorduan 3 penallti gjatë një ndeshjeje. Mirëpo, Xherrard u tregua vetëm 2 herë i saktë. Dje kapiteni i Liverpulit u bë lojtari që ka shënuar 5 gola në “Old Trafford” më shumë se çdo futbollist tjetër në historinë e Premier Ligës. Por, edhe Liverpuli vendosi një rekord, duke fituar penalltinë e 6-të në “Teatrin e Ëndrrave” më shumë se çdo skuadër tjetër në Premier Ligë: “Ishte një ditë fantastike personalisht. Treguam se jemi pretendentë të vërtetë për të luftuar për titullin deri në fund. Me skemën diamant dominuam mesfushën dhe e kontrolluam ndeshjen. Ndoshta u tregova disi arrogant te penalltia e 3-të, por e rëndësishme ishte që shënova dy të parat”.

Mojes: Penalltitë? Disa ishin, disa jo
“Në pjesën e parë nuk pashë shenjat e një skuadre derisa pësuam. Kur u kthyem nga dhomat e zhveshjes u ndëshkuam përpara se unë të ulesha në stol dhe kjo e bëri shumë të vështirë. U hodhëm në sulm por lamë hapësira pas. Penalltitë? Më mirë të mos flas në veçanti për to. Disa ishin, disa jo. Mbështetja e tifozëve ishte fenomenale dhe, nëse ata do të na e japin edhe me Olimpiakosin, atëherë kemi një shans të shkëlqyer të mërkurën. Vendi i 4-ët? Duket i vështirë, por ne s’do dorëzohemi”, – deklaroi trajneri i Junajtid.

Roxhers: Ishte dominim total
“Dominimi ynë ishte i dukshëm. Kishim besimin se do të merrnim një rezultat dhe, fakti që mund të kishim shënuar 5 apo 6 gola, është testamenti i cilësive të lojtarëve të mi. Jemi një skuadër shumë agresive. Penalltitë? Po përsëritet e njëjta situatë sikurse te Suonsi. Fitonim shumë 11-metërsha dhe kjo falë agresivitetit në sulm. Jemi gjatë gjithë kohës në zonën kundërshtare dhe kjo provokon më shumë faulle. Është një rezultat i mrekullueshëm, por do të qëndrojmë me këmbë në tokë”, – tha trajneri i Liverpulit.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"