Xhejms kontratë 3-vjeçare në Azerbajxhan, ja sa ka përfituar Skënderbeu

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Qershor 27, 2018 | 20:59

Xhejms kontratë 3-vjeçare në Azerbajxhan, ja sa ka përfituar Skënderbeu

Skënderbeu shet te Qabala në Azerbajxhan sulmuesin nigerian, Xhejms Adeniji. Pas disa ditësh bisedimesh mes drejtuesve të Skënderbeut dhe atyre azerë, më në fund presidenti Ardjan Takaj është bindur dhe ka pranuar ofertën 200 mijë euro për kartonin e lojtarit. Klubi korçar ka pretenduar më shumë nga shitja, por “Panorama Sport” mëson nga burime zyrtare se është arritur marrëveshja që Skënderbeu të mbajë 25 për qind të kartonit të lojtarit. Xhejms, nga ana e tij, arriti të firmosë dje një kontratë 3-vjeçare, që në total shkon 600 mijë euro.

xhejms

Një pagë e çmendur për nigerianin, që në Korçë merrte 5 mijë euro në muaj, ndërsa tashmë do të paguhet me 20 mijë euro pagë neto. Sulmuesi gjen te Qabala edhe mesfushorin Sabjen Lilaj, i cili firmosi gjatë javës së kaluar. Klubi azer insistoi për shërbimet e Xhejms, edhe pse deri në momentet e fundit ka qenë në garë me një skuadër të Superligës turke.

PREZANTIMI – Sulmuesi nigerian, pasi kaloi me sukses testet mjekësore, menjëherë ka nënshkruar kontratën e re dhe është prezantuar nga Qabala. Për faqen zyrtare të klubit azer, ai është shprehur i lumtur për këtë transferim, ndërsa ka premtuar se do të shënojë shumë gola.

“Jam shumë i lumtur që firmosa me Qabalën. Kam ardhur këtu për të arritur sa më shumë suksese dhe të ndihmoj klubin në objektivat që ka. Unë e di se Qabala ka bërë disa përparime në Kupat e Europës në sezonet e kaluara. Shpresoj që tashmë të ketë rezultate edhe më të mira sesa sukseset e mëparshme. Para se të vija këtu, u informova rreth klubit. Dua që tifozët të jenë me ne gjatë gjithë kohës.

xhejmss

Do të përpiqem t’ju tregoj sa më mirë që të mundem nga cilësitë që kam. I falënderoj ata për interesimin që kanë dhe urimet e shumta që më kanë bërë. Shpresoj të shënoj sa më shumë me skuadrën time të re”, është shprehur sulmuesi 25-vjeçar. Ai luajti për dy sezone e gjysmë me Skënderbeun dhe në 81 ndeshje me fanellën bardhekuqe në kampionatin shqiptar arriti të shënojë 24 gola.

TË TJERËT – Radhën për t’u shitur nga Skënderbeu e kanë tashmë Enis Gavazaj dhe Bakari Nimaga. I pari ka pasur oferta konkrete nga klube austriake, mes tyre Rapidi i Vjenës. Mirëpo, duke parë moshën e lojtarit dhe faktin që ai është grumbulluar edhe nga Kombëtarja shqiptare, klubi korçar kërkon jo më pak se 600 mijë euro për kartonin e prizrenasit. Ndërkohë, edhe për mesfushorin malien ka interes nga disa skuadra.






www.minuta90.com