Xhavit Sefa tregon 1997-ën: Apolonia-Lushnja që s’u luajt kurrë, si e zgjidhi FSHF-ja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2020 | 18:11

Xhavit Sefa tregon 1997-ën: Apolonia-Lushnja që s’u luajt kurrë, si e zgjidhi FSHF-ja

Ndër rastet më afërta, kur kampionati është ndërprerë, është ai vitit të mbrapshtë 1997, kur vendi u përfshi nga kaosi për shkak se njerëzit humbën paratë në firmat piramidale. Xhavit Sefa, një ish-futbollist dhe ish-trajneri i Lushnjës, rrëfen për “Panorama Sport” çfarë ndodhi konkretisht në atë periudhë, me derbin Apolonia-Lushnja që nuk u luajt kurrë, për shkak të formulës që aplikoi FSHF-ja.

xhavit sefa

Në atë kohë Lushnja drejtohej nga argjentinasi i famshëm Mario Kempes.

Kempes Xhaferi

“Kjo është situata më e vështirë. Eshtë një situatë shumë e rëndë, nuk gjej fjalë për ta përshkruar. Kujtoj një moment që ka të bëjë me ndërprerjen e kampionatit dhe lidhet me vitin famëkeq 1997. Skuadra e Lushnjës që atëherë drejtohej nga kampioni i botës, Mario Kempes, sapo kishte mbyllur fazën e parë me 24 pikë dhe kishte kaluar në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Pritej të fillonte faza e dytë me derbin Apolonia-Lushnja. Ndeshja e fazës së parë, e luajtur në Lushnjë, kishte përfunduar 2-2. Do të luhej ndeshja e kthimit në Fier, ishte java e parë e fazës së dyte dhe më kujtohet që ishte planifikuar të luhej të shtunën, më 25 janar 1997. Apolonia kishte 7 pikë më shumë se Lushnja. Ka qenë një atmosferë shumë sportive, por që nga dita në dite po binte, sepse njerëzit po humbnin paratë në firmat piramidale.

lushnja

Vetëm një ditë më parë kishte filluar protesta në qytetin e Lushnjës për paratë e humbura dhe çdo gjë përfundoi në kaos. FSHF-ja e shtyu kampionatin, por jeta e përditshme po shkonte keq e më keq. Të gjithë e dimë si shkoi. Derisa mbërritëm në marsin e 1997-ës dhe nuk mund të bëhej fjalë për kampionat. Derbi nuk u bë kurrë për situatën që u krijua atëherë, as që bëhej fjalë. Por, më kujtohet që FSHF-ja ndau tre grupe me nga gjashtë skuadra. Kampionati kishte 18 ekipe dhe u luajt në kushte grumbullimi. Apolonia ishte në gjashtëshen e parë dhe Lushnja në gjashtëshen e dytë, kështu që nuk u ndeshen më atë sezon.

Lushnja-Apolonia

Tani që kanë kaluar 23 vjet jemi në një situatë krejt tjetër, por me përfundim të njëjtë, sepse në radhë të parë është jeta dhe shëndeti i gjithsecilit. Pak ditë më parë po flisnim për një ndeshje tradicionale dhe unë dhashë me shumë kënaqësi një opinion për gazetën “Panorama Sport”, por me situatën e krijuar, e ritheksoj, në plan të parë është jeta dhe shëndeti i njerëzve”, ka rrëfyer Xhavit Sefa për gazetën.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"