Xhaka: Kënaqësi të luash për këtë fanellë, Graniti më uroi për fitoren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2015 | 20:55

Xhaka: Kënaqësi të luash për këtë fanellë, Graniti më uroi për fitoren

Taulant Xhaka me fanellen kuqezi te kombetares

Ka qenë një ndër më të mirët në fushë dhe fitoren e ka shijuar pa masë. Taulant Xhaka e cilëson totalisht të merituar këtë triumf, teksa në deklaratën e dhënë në fund të takimit nuk ka ngurruar që të rrëfejë edhe mesazhin që i ka dërguar i vëllai, Graniti, i cili përfaqëson fanellën e Zvicrës.

“I gjithë stadiumi e ka parë që ne e donim atë fitore dhe në fund ia dolëm me sukses. Është kënaqësi të luash me familjen”, tha fillimisht Xhaka.

Kur pyetet për Gashin dhe faktin që përse ai e nisi nga stoli, mesfushori përgjigjet:

“Është kënaqësi më vete të luash për Shqipërinë dhe për këtë fanellë. Gashi dihet që është një sulmues tipik dhe pikërisht në atë rol ai tregon mirë se çfarë do të bëjë”. Më tej, Xhaka flet për takimin dhe e cilëson këtë fitore totalisht të merituar. Por, nga ana tjetër, e pranon se kishin edhe fat, ndryshe nga ndeshjet e fundit.

“Ishte një trepikësh me shumë vlera, ne e merituam fitoren. Sonte (mbrëmë) patëm fat, por ishte totalisht e merituar”, shtoi ai.

Roli

Fakti që shpeshherë gjatë lojës Xhaka lëviz në pozicione të ndryshme, sa nga e majta në të djathtë dhe në qendër, ka ardhur pasi vetë Xhani De Biazi e ka këshilluar që të bëjë rolin e Lenjanit. “Trajneri më tha që të luaja në vendin e Lenjanit, pra të bëja 10-shin. Më pas, më këshilloi që të lëvizja, pasi nuk po kapja shumë topa dhe në fund që të luaja në vendin e Kukelit. Dhe rezultati ishte pozitiv, pasi si Lenjani dhe Gashi nga krahët treguan veten dhe bënë diferencën në fushë”.

Graniti

Më tej, Taulanti shpjegon se i vëllai nuk është kurrsesi xheloz për të, paçka se ai e shijoi një fitore me fanellën kuqezi. Madje, rrëfen se i ka ardhur një mesazh prej Granitit, ku i uronte fitoren. “Jam i lumtur që luaj për Shqipërinë dhe e bëmë gjithë shqiptarinë krenare. Por, edhe Graniti është i lumtur. Jo vetëm për mua, por mbi të gjitha për Shqipërinë.

Madje, fill pas takimit, më dërgoi një mesazh në telefon, teksa më tha:

‘Vëlla urime për fitoren dhe suksese në të ardhmen’. Unë kisha mjaft familjarë në stadium, besoj se sonte (mbrëmë) do të festoj edhe ditëlindjen e 24-t, por ndoshta edhe nesër (sot) kur të shkoj në Bazel me shokët e mi”. Kualifikimi – Shqipëria është në rrugë të mbarë, por edhe Xhaka deklaron se përtej ecurisë së mirë, duhet që t’i marrin ndeshjet me radhë. “Nëse do Zoti, do shkojmë në Francë. Rrugën e kemi shumë të mirë, por tashmë t’i marrim ndeshjet me radhë”, përfundoi mesfushori i Bazelit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"