Xhahysa: Kjo Vllazni më pëlqen, por duhet gjykuar pas 6 javësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2022 | 19:13

Xhahysa: Kjo Vllazni më pëlqen, por duhet gjykuar pas 6 javësh

Altin Xhahysa, ish-sulmuesi kampion i Vllaznisë në vitin 1998, flet me superlativa për momentin që po kalon skuadra shkodrane në kampionat. Në një bisedë për mediat lokale, ai theksoi se Vllaznia po luan një futboll cilësor dhe mund të shkojë larg. Megjithatë, sipas tij ekipet do të gjykohen më mirë pas 5-6 javëve të para të Superiores.

xhahysa

“Një fitore në kryeqytet dhe për më tepër kundër Tiranës është gjithmonë kënaqësi. Jo vetëm për 3 pikët, por është edhe një sukses moral që mund të shërbejë në ndeshjet e radhës. Skuadra po zhvillon një futboll cilësor dhe Mirel Josa duket sikur ka korrigjuar diçka nga e shkuara e Vllaznisë”, është shprehur fillimisht Xhahysa. Sipas tij, skuadra po tregohet racionale në sulm.

“Skuadra nuk sulmon më me ta gjithë forcat, por është më racionale dhe e kujdesshme. Besoj se kjo është diçka pozitive, sepse në një kampionat si i yni, duhet të jesh sa më cinik dhe konkret para portës. Josa e di mirë këtë dhe po e aplikon, duke qenë se është edhe vetë një stil i tiji, që i ka garantuar shumë suksese në të shkuarën si trajner i Skënderbeut”, ka thënë ish-sulmuesi, që prej vitesh bën detyrën e trajnerit, teksa në sezonin e fundit ka qenë në krye të ekipit të Kategorisë së Dytë, Murlani.

EGNATIA – Xhahysa ka folur edhe për takimin që Vllaznia do të luajë të shtunën në transfertë ndaj Egnatias. Sipas tij, skuadra duhet që të bëj kujdes dhe të jetë larg euforisë, në mënyrë që të arrijë një tjetër sukses. “Nuk ka ekipe të lehta në këtë sezon dhe për më tepër në futboll ndodh gjithçka. Vllaznia duhet që të bëjë kujdes dhe të jetë larg euforisë në Rrogozhinë. Nëse skuadra tregohet racionale, një tjetër rezultat pozitiv, që për mua është fitorja, nuk do të mungojë as në këtë transfertë”, deklaroi 45-vjeçari shkodran.

ECURIA – Në fund, Xhahysa është shprehur se ecuria e Vllaznisë, por edhe e gjithë skuadrave të tjera, më mirë do të shikohet pas përfundimit të 6 javëve të para. “Besoj se skuadra është në rrugën e duhur, por duhet gjykuar më saktë pas javës së gjashtë. Kjo, pasi të shihet edhe përshtatja e lojtarëve që kanë ardhur rishtazi në ekip. Javë pas jave do të shikohet edhe më mirë nëse Vllaznia e këtij sezoni është gatuar për titull”, përfundoi ish-sulmuesi i viteve ‘90.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"