Xhafaj drejt SHBA, fund karrierës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2013 | 12:42

Xhafaj drejt SHBA, fund karrierës

XhafajDaniel Xhafaj niset nesër drejt Amerikës, për të vazhduar jetën në kontinentin e largët, bashkë me familjen e tij. Sulmuesi vlonjat ka konfirmuar ekskluzivisht për “Panorama Sport” se do e mbyllë karrierën, por për respekt të kontratës që ka me Teutën, do të vazhdojë të luajë edhe pjesën e mbetur të sezonit me durrsakët. “Unë nisem të martën, por nuk e di se kur do të kthehem në Shqipëri. Ndoshta do e bëj në janar apo shkurt, por s’e kam të qartë. Prej 16 vitesh prindërit e mi jetojnë në Amerikë dhe tashmë do të shkoj aty, bashkë me familjen time, pasi kam marrë edhe dokumentacionin nga shteti amerikan. Gjithsesi, dua që të mos e lë në mes sezonin, por të vazhdoj me Teutën deri në fund pasi kam një kontratë, të cilën, për hir të presidentit Hasanbelliu e tifozëve, më duhet ta respektoj. Derisa e nisa këtë punë, më duhet ta çoj deri në fund. Dëshira ime është të thyej edhe rekordin e golave. Më ka mbetur të shënoj edhe tetë gola, kam besim se do ia dalë”, – ka thënë fillimisht Xhafaj.
Vendimi “Ky është sezoni im i fundit si futbollist. E kam thënë në verën e 2012-ës që karrierën do e mbyll te Teuta, kështu që po e mbaj fjalën. Durrësi është shtëpia ime e dytë dhe në këtë qytet jam ndierë jashtëzakonisht mirë. Ruaj një raport të shkëlqyer me drejtuesit, tifozët dhe shokët e skuadrës. Ëndrra ime është që ta mbyll si kampion. Të shpresoj se edhe kjo do të më realizohet në fund të karrierës. Vazhdoj të stërvitem si një 20-vjeçar dhe ky ndoshta është edhe sekreti i formës që po kaloj. Nuk kam neglizhuar asnjë ditë stërvitje dhe, jo për mburrje, por po shkoj 37 vjeç dhe kam ende dëshirë për të luajtur. Gjithsesi, vjen një moment dhe atë që ke nisur duhet ta mbyllësh. Unë e kuptoj vetë se kur duhet të hap krahun. Fizikisht ndihem shumë mirë, por nisur edhe nga kushtet që m’u krijuan tashmë, kam vendosur përfundimisht me familjen që të transferohem në Amerikë për një jetë edhe më të mirë. Po mendoj për fëmijët e mi, sepse futbolli i luajtur për mua mbyllet shpejt”, – tregon sulmuesi vlonjat, i cili është një golashënuesit më të mirë të kampionateve shqiptare, teksa ka arritur të lërë gjurmë në çdo skuadër.
E ardhmja Por, çfarë do të bëjë Danieli pasi të lërë futbollin? Sulmuesi i ka idetë e qarta. “Kur të kthehem nga Amerika, pas ndoshta një muaji, do të nis kursin për trajner. Futbolli është jeta ime dhe besoj se do të punoj si trajner në Amerikë. Di që edhe ish-futbollistë të tjerë shqiptarë po punojnë në SHBA. Kjo është edhe dëshira ime pasi, në fund të fundit, është diçka që do e bëj me qejf dhe shpresoj që një ditë të bëhem dikush edhe duke drejtuar ekipe”, – ka përfunduar Xhafaj. Sulmuesi do të jetë sot në festën që do të organizojë FSHF-ja dhe, pasi të takojë miqtë e tij, në mëngjesin e së martës do të niset drejt Amerikës bashkë me familjen e tij.

Pengu për titullin
Sulmuesi Xhafaj ka dy pengje: nuk ka fituar asnjë titull kampion si pjesë e Flamurtarit dhe Teutës. Në sezonin 2010-2011 iu afrua shumë me skuadrën e vendlindjes, në një kampionat të shoqëruar me mjaft polemika. “Do të ishte gjëja më e bukur nëse e mbyll karrierën me një titull të fituar te Teuta. Gjithsesi, ngushëllimi i vetëm nëse kjo ndodh do të jetë thyerja e rekordit të golave. Besoj se do t’ia arrij”, – ka thënë sulmuesi vlonjat.
JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"