Xhafa i jep zemër Flamurtarit: E ka bazën me vlonjatë, kampionati do ishte më i bukur nëse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2020 | 17:42

Xhafa i jep zemër Flamurtarit: E ka bazën me vlonjatë, kampionati do ishte më i bukur nëse…

Fjodor Xhafa ka besim se Flamurtari do të ringrihet shpejt. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, ish-futbollisti i njohur vlonjat thotë se me përforcimin e grupit me pak elementë cilësorë, ngjitja në Superiore do të ishte e menjëhershme. Ish-sulmuesi vlerëson punën e trajnerit Resuli për afrimin e lojtarëve të akademisë dhe thekson se nëse ata do të kenë karakter dhe përkushtim, do të ecin përpara. Xhafa gjykon se Flamurtari do të përshtatet në Kategorinë e Parë, pasi edhe sezonin e shkuar në Superiore me po këta lojtarë të rinj ka bërë mirë përballë skuadrave me lojtarë me eksperiencë.

Xhafa Fjodor ne finalen e kupes Laci-Bylis 1-0

Fjodor, si mendoni, a do të kthehet ky Flamurtar shpejt në Superiore?

Kampionati i Kategorisë së Parë nuk është për t’u nënvlerësuar dhe normalisht duhet një bosht lojtarësh me eksperiencë. Tek ata duhet të mbështeten edhe lojtarët e akademisë. I shoh vetë këta lojtarë, sepse i stërvit te të rinjtë. Elementë ka shumë dhe mund të ketë pritshmëri, megjithatë diferencën nuk e bën talenti në kohët e sotme, por përkushtimi dhe karakteri që ka gjithsecili.

Sa do të përshtatet ekipi me Kategorinë e Parë?

Do të jetë diçka më e thjeshtë. Diferencën edhe vjet e bëri pjesa taktike, kundërshtarët ishin më të pjekur taktikisht dhe Flamurtari ishte relativisht ekip i ri në moshë. Tashmë, ata kanë fituar pjekuri dhe nuk them se janë aty ku duhet të jenë, por do të përmirësohen. Fillimi do të jetë i vështirë, por mendoj se do të kalojnë emocionet dhe ekipi do të kapë ritmin.

A mund të përballohet kjo kategori me një ekip me elementë vetëm të akademisë?

Me informacionet që kam në klub, natyrisht jozyrtare, pasi nuk jam unë ai që mund të flasë zyrtarisht për këtë, do të krijohet një bosht me lojtarë me eksperiencë. Por edhe këta lojtarë të akademisë, nëse do të kenë karakterin e duhur, do të hyjnë në ritëm gradualisht. Një meritë të veçantë për evidentimin e elementëve cilësorë dhe afrimin e tyre tek ekipi i parë e ka trajneri Resuli, i cili i ka stërvitur vetë dhe i njeh mirë. Me profesionalizmin që e karakterizon, kam bindjen se Resuli do të bëjë më të mirën për Flamurtarin.

FLAMURTARI

Sipas jush, do të ishte më mirë që Kategoria e Parë të luhej me një apo dy grupe?

Me një grup gara është më e vështirë. Me dy grupe mund të ndodhë që të favorizohet njëri prej tyre, duke pasur pak rivalë, ndërsa grupit tjetër më shumë, varet si bëhet ndarja. Për mendimin tim, më e drejtë dhe më e bukur gara do të ishte në një kampionat me një grup.

A rrezikon Flamurtari të hyjë në një krize të thellë, si Dinamo, Elbasani dhe Besa apo ndonjë ekip tjetër, që janë shkëputur nga Superiorja për shumë vite?

Nëse do të bënim një krahasim të tillë, do të dilja në mbështetje të Flamurtarit, sepse aktualisht ka një grup lojtarësh, për të cilët në të ardhmen do të dëgjojmë shumë. Por, e përsëris, çdo gjë varet nga karakteri i lojtarëve. Ndryshon Flamurtari me ekipet që ju përmendët, pasi kur ato ranë nga kategoria, nuk kanë qenë të mbështetura nga lojtarët e akademisë. Ne kemi bazën dhe mund të nisemi prej saj.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"