Vukiçeviç në debutim, Laçi kërkon ta nisë me tri pikë sot ndaj Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2021 | 10:18

Vukiçeviç në debutim, Laçi kërkon ta nisë me tri pikë sot ndaj Vllaznisë

Dhjetë lojtarë të afruar në merkaton e verës, që vlerat e tyre mbeten për t’u parë, por edhe një trajner malazez, i cili sot debuton në stolin bardhezi. Laçi e nis kampionatin në fushën e vetë kundër Vllaznisë, teksa ndeshja e vlefshme për javën e parë do të luhet sot në orën 13:45.

Dejan Vukicevic

Për Dejan Vukiçeviç është prova e parë në krye të Laçit, teksa objektivat e klubit kurbinas janë madhorë, pasi kërkon këtë sezon titullin kampion. Sigurimi i një bilete europiane është objektivi minimal tashmë për Laçin, pasi edhe në kampionatin e kaluar, bardhezinjtë e drejtuar nga Shpëtim Duro ishin deri në javën e fundit në luftë për titullin.

Presidenti Laska i ka besuar një projekt madhor 53-vjeçarit malazez, që ka një CV të pasur duke drejtuar klube në Serbi, Moldavi, Letoni dhe së fundmi në Kosovë te Feronikeli. Vukiçeviç ka fituar një herë titullin kampion në Mal të Zi si trajner i Mogrenit. Laçi ka afruar në merkaton e verës lojtarë si Saliu Guindo, Klinti Qato, Bashkim Velija, Mario Dajsinani, Marko Roganoviç, Renato Ziko, Dejan Zarubica, Ilirid Ademi, Viktor Velkoski dhe së fundmi Serxho Ujka.

Ndërkohë, shumica e tyre ka debutuar në ndeshjet e Ligës së Konferencës me fanellën bardhezi. Sot Vukiçeviç do të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët me repartet që kanë një konkurrencë të madhe, pasi skuadra është e dubluar në çdo pozicion. Krahu i majtë i mbrojtjes është një pikë ku skuadra është arnuar, pasi edhe Rudolf Turkaj ka pasur probleme fizike.

Sot ndaj Vllaznisë pritet që Laçi ta nisë në portë me Sherin, ndërsa në mbrojtje katërshja Velija, Malota, Ignjatoviç dhe Roganoviç.

Në mesfushë treshja e “blinduar” tashmë me Deliun, Shehun dhe Lushkjen, ndërsa sulmi do të jetë me Guindon në majë, si dhe Zarubicën e Mazrekajn nga krahët. Ky i fundit vjen pas dëmtimit dhe është tashmë në balotazh për një vend me Ilirid Ademin.

lac

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"