“Vuçiniç më këshilloi, por s’ndiej presion në Torino”, Vlahoviç: Tani, ora që të shënoj edhe për Juven

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2023 | 23:20

“Vuçiniç më këshilloi, por s’ndiej presion në Torino”, Vlahoviç: Tani, ora që të shënoj edhe për Juven

“Nuk e kam parë Vlahoviçin kurrë më në formë sesa tani. Ai duhet vetëm që të qëndrojë i qetë dhe golat do të vijnë. Këtë ua garantoj unë, pasi një periudhë jo të lumtur e kalojnë gjithmonë lojtarët e mëdhenj. Por nëse Dushan ndjek fjalët e mia, jam i bindur që do të rikthehet jo vetëm që të shënojë, por edhe me vazhdimësi madje”.

vlahovic(2)

Ishin këto fjalët e shprehura nga Masimiliano Alegri përpara se Dushan Vlahoviç t’i bashkohej në grumbullim kombëtares dhe gjithçka ishte parashikuar drejt nga trajneri i Juventusit. Sepse përballë Lituanisë e Malit të Zi në transfertë, bomberi 23-vjeçar realizoi tre gola dhe i dha 6 pikë kombëtares së Serbisë për të shkuar e sigurt drejt një kualifikimi në “Euro 2024” në Gjermani.

Dhe si protagonist absolut i “shqiponjave”, Dushan dha disa intervista për median serbe, ku premton se do të kthehem shumë i karikuar te Juventusi pas tre golave me përfaqësuesen.

Dushan mesa duket Alegri e kishte parashikuar drejt se ishit në formë, ndonëse kishit vështirësi në gjetjen e golit?

Dhe jo vetëm Alegri, por edhe trajneri Stojanoviç (tekniku i Serbisë) më tha të njëjtat fjalë në stërvitjen e parë dhe patën që të dy të drejtë. Sigurisht, ka momente në të cilat ndihem në presion, pasi nuk e kërkoj golin me ngulm për vete, por dua të ndihmoj në çdo mënyrë skuadrën, si Juventusin, ashtu sikurse kombëtaren e vendit tim. Ndryshe për çfarë duhem në fushën e lojës…

Dhe të paktën me kombëtaren e le tri herë gjurmën…

Po dhe jam shumë i lumtur madje, pasi ishin 6 pikë të rëndësishme në dy ndeshjet e para, të cilat na lejojnë që t’i presim me qetësi sfidat e ardhshme për eliminatoret e Europianit. Sfida e fundit kundër Malit të Zi ishte shumë e vështirë, por pata fat që edhe pse zbrita në lojë në pjesën e dytë gjeta dy gola, të cilët na dhanë një sukses të rëndësishëm në një transfertë shumë të nxehtë si ajo malazeze.

Tani ju ka mbetur që këtë vazhdimësi ta keni edhe te Juvja, pasi në fundjavë rinis Seria A dhe jo vetëm…

Këtë shpresoj dhe unë, ndonëse e sigurt është se tre golat me kombëtaren më kanë karikuar e motivuar shumë. Unë punoj dhe do të vazhdoj të punoj gjithmonë që të përmirësohem, pasi siç kam unë nevojë për Juventusin ka edhe Juventusi nevojë për mua.

Ju pamë që pas fitores me Malin e Zi u takuat dhe u ndalet me Mirko Vuçiniçin (zëvendëstrajneri i malazezëve). Çfarë ju tha?

Vuçiniç ka qenë një lojtar i madh, i cili ka bërë gjëra fantastike edhe në radhët e Juventusit. Erdhi dhe më foli, më saktë më dha disa këshilla për Juventusin, më uroi për golat në kombëtare dhe ashtu si Alegri më kërkoi që të jem i qetë dhe thjesht të vë cilësitë e mia në fushë. Më pëlqeu shumë kur kundërshtari (qesh) të respekton. Më pas erdhi dhe Jovetiç dhe më pëlqeu të komunikoja me ta. I jam mirënjohës.

Një tjetër ish-sulmuesi i Juventusit, Luka Toni, ka analizuar se ju shënoni më shumë gola me Serbinë, pasi nuk keni dhe nuk ndjeni të njëjtin presion si te bardhezinjtë. Kaq e rëndë është përgjegjësia në Torino?

Nuk di që të kem luajtur ndonjëherë me Luka Tonin në kombëtaren tonë, për të ditur ndryshimin (qesh)… Pavarësisht shakave, unë di të them se ka raste kur përgjegjësia është më e madhe në kombëtare, pasi një popull i tërë pret fitoren tonë dhe biletën sa më shpejt për në Europian.

Por për sa i përket Juves, jo, nuk kam aspak presion apo më rëndon përgjegjësia. Dua thjesht të rikthehem dhe jam i bindur se do të gjej edhe te Juventusi vazhdimësinë e golit. E ndiej se momenti negativ është lënë pas, mbas këtyre tre golave në përfaqësuese.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"